“Dilni në zgjedhje”; “mos e bëni komisionin parlamentar”: Kurti e përdhos Kushtetuesen dy herë brenda 24 orëve - NACIONALE

“Dilni në zgjedhje”; “mos e bëni komisionin parlamentar”: Kurti e përdhos Kushtetuesen dy herë brenda 24 orëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në tre-vjetorin e qeverisë së tij, kryeministri Albin Kurti e ka ashpërsuar gjuhen ndaj Gjykatës Kushtetuese. Brenda 24 orëve, në dy paraqitje publike, shefi i qeveria ka hedhur akuza të rënda ndaj gardianit të Kushtetutës.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës dhe në një konferencë për media, kryeministri Kurti e ka përdhosur Gjykatën Kushtetuese, duke e krahasuar me parti politike dhe me profesor të dobët të ekonomisë.

Ndonëse Kushtetueseje është lavdëruar nga instanca të ndryshme për profesionalizëm e integritet në vendime, shefi i ekzekutivit mendon se ajo po i përzihet në punë Qeverisë.

Gjatë intervistës për RTK-në, Kurti Kushtetuesen e ka krahasuar me Komisionin Parlamentar për Legjislacion.

“Gjykata kushtetuese praktikisht është duke e zëvendësuar me trajtimin e ligjeve që ne e kalojmë në kuvend në Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Ne kemi Komision Parlamentar për Legjislacion, të gjitha ligjet janë tu përfundu në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë ai të enjten mbrëma.

Gjykata Kushtetuese, sipas shefit të ekzekutivit, po merret me çështje që nuk i takojnë.

Ai e ka krahasuar gardianin e Kushtetutës me parti politike, duke e ftuar të marrë pjesë në zgjedhje.

“Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese do të duhej të pranonte, duke pasur Komisionin Parlamentar për Legjislacion, ta trajtoj secilin ligj që e kalon mazhoranca aty e që janë thelbësore për reformat që ne i bëjmë. Sidoqoftë ajo po i trajton. E keni pa që po merret me nivel të pagave, po merret me çmimet tavon, po merret me gjithçka. Në këtë kuptim unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata, le të garojnë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.

Sipas tij, gjykata po merr vendime për politika e jo për çështje që i takojnë.

“Nuk është apolitik nëse ti merr vendime për politikat, për ato garohet në zgjedhje. Kur ata të garojnë ju mund të votoni për ta. Nuk është e thënë që Gjykata Kushtetuese tash ta bëj dyfishimin e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, pra nuk më pëlqejnë mu një mori vendimesh që janë marrë”, ka deklaruar Kurti.

I pari i Qeverisë nuk i ka ndalë kritikat ndaj Kushtetueses edhe në konferencën për media për tre-vjetorin e Qeverisë.

Ai ka bërë me dije se ky institucion nuk është dashur të merret fare me Ligjin për çmimet tavan dhe Ligjin e Pagave.

“Po i marr vetëm dy raste që me dhembin, është Ligji për çmimet tavan dhe Ligji i pagave. Në Ligji për çmimet tavën kemi pasur lëshime në interpretimeve të ekonomisë, duke u thirr në faktin se Kushtetuta e Kosovës thotë që ekonomia e vendit duhet të jetë ekonomi e tregut me konkurrencë të lirë” ka thekuar ai, duke shtuar se me këtë rast ka bërë profesorin e ekonomisë.

“Gjykata e jonë Kushtetuese e ka bërë profesorin e ekonomisë, por nuk do të thosha që e ka bërë mirë”, është shprehur Kurti.

Kurse në shqyrtimin e Ligjit për Paga, sipas kryeministrit, Kushtetuesja ka ndërhyrë në pushtetin ekzekutiv.

“Në politikat tona fiskale ka pasur ndërhyje të gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtuese po na thotë neve kështu. Qysh i mblidhni ju të hyrat është punë e juaj, por qysh e shfrytëzoni pyetemi ne. Po kjo nuk është fer. Prandaj, edhe unë kam thënë kërko votën në zgjedhje. Sepse në zgjedhje me programe partitë politike garojnë si mblidhen të hyrat dhe si shpenzohen ato. Gjykata Kushtetuese i ka thënë qeverisë tonë mblidhni të hyrat qysh të dush e qysh i shpenzon pyetemi ne”, ka thënë Kurti.

Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese sulmohet ashpër nga pushteti.

Edhe më herët, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë kontestuar profesionalizmin dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Lajme të ngjashme