Dick Marty zë ‘offside’ Osmanin e Gërvallën: Heshtje shurdhuese për komplotin
Kanë kaluar dy ditë nga deklarimi i ish-senatorit zviceran, Dick Marty, se shërbimi serb ka tentuar ta vrasë për t’i fajësuar më pas kosovarët, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryediplomatja Donika Gërvalla, nuk kanë reaguar.
Kur të gjithë po kërkojnë reagimin e institucioneve të Kosovës për të treguar para botës se raporti i ish-senatorit për krimet e supozuara të UÇK-së ka qenë i njëanshëm, diplomacia e Kosovës - tash për tash - ka zgjedhur heshtjen.
Gazeta Nacionale i ka dërguar pyetjet Zyrës së Presidencës për të marrë një qëndrim të shefes së shtetit për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.
I vetmi prej udhëheqësve të vendit që ka folur për këtë çështje është kryeministri Albin Kurti.
Sot në një konferencë për medie, ai ka folur pasi është pyetur nga gazetarët për këtë temë.
Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk është diçka e re nga qeveria e Serbisë.
“Sa i përket Martyt, kësaj radhe nuk është autor por protagonist. Mund të them se shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia, por unë shpresoj dhe uroj që QUINT-i në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi ta ngrisin këtë çështje me presidentin atje sepse është një aktakuzë e jashtëzakonshme... sepse i tejkalon çfarëdo përmasa individuale, e përfshin një shtet të tërë. Natyrisht që do të synojmë të bashkëpunojmë me ministrinë e brendshme të Zvicrës. Nuk duhet të mbetet vetëm një denoncim”, ka deklaruar Kurti.
Kjo çështje duhet të adresohet në instanca ndërkombëtare
Subjektet opozitare dhe njohësit e rrethanave politike, kanë bërë me dije se institucionet e Kosovës nuk duhet të heshtin për këtë rast.
Sipas tyre, nëse vrasja do të ndodhte, dëmet për Republikën e Kosovës do të ishin jashtëzakonisht të mëdha.
Ata kanë vlerësuar se diplomacia kosovare këtë çështje duhet ta ngrisë në instancat më të larta ndërkombëtare, duke argumentuar se raporti i Martyt ka qenë i ndikuar nga shërbimi sekret serb dhe rus.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka treguar se qeveria i ka të gjitha mundësitë të bëj këtë punë.
“Qeveria e Kosova ka instrumente të domosdoshme në dorë që ta ngrisë këtë çështje në instancat më të larta. Dhe gjëja tjetër, mbase më e rëndësishme që duhet bërë është që Kosova sa më shpejt të anëtarësohet në Këshill të Evropës dhe aty të demaskohet përmes një rezolute të re raporti i senatorit Dik Marty”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se kjo situatë është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej.
“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.
Analisti Ilir Ibrahmi ka thënë se tani institucionet e Kosovës duhet të vihen fuqishëm në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Nëse nuk ka asnjë dyshim që Dick Marty ka pasur lidhje me qeverinë serbe Nëse shërbimi serb ka tentuar ta eliminojë mikun e vet Dick Marty dhe për ta fajësuar Kosovën për një akt të tillë, lind pyetja se çfarë tjetër ka synuar qeveria serbe të fshehë me këtë tentativë vrasje? Atëherë a i bie që Gjykata Speciale është ngritur e tëra mbi një gënjeshtër? A duhet të vazhdojë ta gjykojë kjo Gjykatë luftën për liri të UÇK-së? A duhet ta lejojë Qeveria e Kosovës një përdhosje të tillë? Qeveria Kurti sot më shumë se kurrë ia ka borxh t'i dalë në mbrojtje UÇK-së sepse me këtë mbrojtje e mbron shtetin e Kosovës, themelet e të cilit i vendosi UÇK”, ka shkruar Ibrahimi në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa, ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të paguajë një ekspert të pavarur ndërkombëtar që ka kredibilitet në botë për të bërë një raport për Gjykatën Speciale.
“Parlamenti i Kosovës duhet të krijojë një komision hetimor. Ky komision duhet të angazhojë/paguajë një ekspert të pavarur ndërkombëtar që ka kredibilitet në botë për të bërë një raport për Gjykatën Speciale. Të verifikojë lidhshmëritë e desinfromatave ruse/serbe që çuan në krijimin e Raportit të Dick Martyt dhe krijimin e kësaj gjykate. Kosova duhet të shfrytëzojë momentumin ku Perëndimi ka filluar të rishikojë të gjitha projektet që kanë pasur ose kanë elemente direkte ose indirekte të ndikimit rus”, ka thënë ai.
BIA serbe mohon pretendimet sa ka dashur ta vrasë Martyn
Menjëherë pas pretendimeve të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka reaguar Agjencia Serbe e Zbulimit (BIA), duke mohuar pretendimet se ka dashur ta vriste ish-raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty.
“BIA dënon dhe mohon fuqishëm pohimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve serbe të sigurisë në planifikimin e vrasjes së dikujt. Në këto kohë të vështira, pretendimet e tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Republikës së Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, që me përkushtim dhe profesionalizëm i kryejnë detyrat e tyre”, është thënë në deklaratë e këtij shërbimi.
Por, ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, është i bindur se BIA ka dashur ta eliminonte.
Më 10 prill, Marty, i cili me mandat të Këshillit të Evropës kishte hetuar krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka treguar se prej 16 muajsh është nën mbrojtje policore, për shkak të kërcënimeve me jetë. shërbimet sekrete serbe.
Në një intervistë për televizion zviceran RTS, ai ka thënë se qarqe të caktuara të inteligjencës serbe u kanë kërkuar vrasësve të paguar nga nëntoka që ta vrisnin dhe më pas të fajësoheshin shqiptarët e Kosovës.
Gjykata Speciale, e cila sot në Hagë po gjykon ish-udhëheqësit e UÇK-së, është bazuar mbi raportin e Dick Martyt.