Dialogu strategjik, veprimet e njëanshme: Çka tha Verma pas takimeve me Kurtin e Osmanin? - NACIONALE

Dialogu strategjik, veprimet e njëanshme: Çka tha Verma pas takimeve me Kurtin e Osmanin?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma ka dhënë një intervistë për Kohën, ku ka folur për disa tema, përfshirë dialogun në Bruksel e dialogun strategjik mes Kosovës e ShBA-së. Verma ka dhënë ca qëndrime publike, duke kërkuar që të respektohet zotimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Verma ka ripërsëritur se ShBA-ja mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Tutje, ai ka vlerësuar se është e rëndësishme që Kosova e Serbia t’i kthehen dialogut.

“Është me rëndësi që t’i kthehemi dialogut. Mendoj se sot në mëngjes ia përmenda edhe presidentes edhe kryeministrit se sa e rëndësishme është që të përmbushen zotimet e marra në dialog dhe zotimin e njëmendtë për një vend shumetnik, demokratik dhe paqësor. Besoj se këtu qëndron e ardhmja e Kosovës. Kjo gjë është në thelb të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja. Dhe kjo është pa aq e rëndësishme” – ka thënë Verma.

Në këtë intervistë, Verma foli për veprimet e njëanshme, duke vlerësuar se “ka veprime që mund të përceptohen si veprime që janë në kundërshtim” me marrëveshjen.

“Prandaj... kur ka veprime që mund të perceptohen si veprime që janë në kundërshtim me atë marrëveshje, kjo bëhet problematike. Pra, veprimet e njëanshme, mendoj se kur flasim për shoqërinë shumetnike, është e rëndësishme që edhe serbët e Kosovës të kuptojnë dhe të dinë se ku përshtaten në këtë vend. Dhe kështu, po, është e rëndësishme që ajo marrëveshje të zbatohet dhe dialogu të kthehet në rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur” – ka theksuar Verma.

Kur folu për cakun e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Verma tha se njohja e ndërjsellë do të ishte një rezultat i duhur.

“Shikoni, mendoj se të gjithë ne shpresojmë një shkallë të normalizimit që do të çonte te njohja e ndërsjellë. Por, për të arritur deri në atë pikë duhet të ndërmerren disa hapa dhe kjo gjë besoj se do të arrihet përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja, nëse zbatohet siç duhet…Mendoj se ju e dini qëndrimin tonë dhe sapo e shpreha para jush se normalizimi që çon në njohje të ndërsjellë do të ishte rezultati i duhur” – ka thënë ai.

Gjatë intervistës, Verma foli edhe për punën e dialogut strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës.

“Ajo që ia sugjerova presidentes dhe ajo e ka përkrahur shumë, si dhe ka qenë përkrahëse e fuqishme e kësaj nisme, është strukturimi i marrëdhënieve tona përmes një dialogu strategjik i cili, natyrisht, do ta shtynte atë në nivel më të lartë. Mund t’i zgjedhim temat që janë të rëndësishme për të dy vendet. Që ekipet tona të takohen rregullisht dhe e mirëpres mundësinë për të punuar rreth hollësive ashtu që zyrtarisht të kemi dialogun e parë strategjik. Por, më erdhi mirë që pata mundësinë të flas me të për këtë çështje dhe ta shtyjmë këtë marrëdhënie në një nivel më të lartë” – ka sqaruar Verma, i cili vlerësoi se ka pasur takime të mira me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Lajme të ngjashme