“Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri”: Kallas sot viziton Kosovën, takon liderët politikë - NACIONALE

“Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri”: Kallas sot viziton Kosovën, takon liderët politikë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, sot do të vizitojë Kosovën. Në vizitën e parë në Prishtinë, kryediploamtja evropiane pritet të takojë liderët e partive politike në Kosovës.

Para vizitës në Serbi, që e ka realizuar dje, zyrtarja e lartë e BE-së ka treguar mesazhet që do të përcjell gjatë vizitës në këto dy vende.

Sipas saj, dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri.

Në llogarinë e saj në “X”, ajo ka shkruar e tani është koha për t'u riangazhuar

Do të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dy ditët e ardhshme dhe do të angazhohem me qeveritë dhe shoqërinë civile në rrugën e tyre drejt BE-së. Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri për të ecur përpara. Tani është koha për t'u riangazhuar”, ka shkruar Kallas.

Javën e kaluar Kallas në Tiranë është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo e fundit ka bërë me dije se Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Kënaqësi të takohem me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, një mbështetëse e kahmotshme për një Evropë të sigurt e të bashkuar. Duke qenë se gjatë vizitës së saj javën e ardhshme në Kosovë do të jem në një vizitë shtetërore të paracaktuar jashtë vendit, takimin e realizuam në Tiranë. Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Është koha që BE t’i përgjigjet këtij momenti me guxim, qartësi dhe vendosmëri, tipare këto që e karakterizojnë lidershipin e Përfaqësueses së Lartë Kallas”, ka shkruar Osmani.

Kohëve të fundit, zyrtarët evropian kanë shtuar presionin për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili prej vitesh ka ngecur.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pret që ky proces të rifillojë së shpejti.

Gjatë vizitës në Tiranë, javën e kaluar, ai ka uruar që ky dialog të rifillojë në javët e ardhshme.

Unë uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun edhe me Prishtinën dhe Beogradin, sepse secili vend është sprovuar me vështirësi politike dhe sociale për të mundur të bëjmë avancime. Është e rëndësishme për gjithë rajonin”, ka thënë Macron.

Lajme të ngjashme