Dhjetëra vetura të KFOR-it në veri, largohen edhe barrikadat e mbetura (PAMJE)
Një kamion te “Shkëmbi i Dudës” në veri të Kosovës është larguar sot nga KFOR-i, ndërsa për pak, pritet që të largohet edhe një tjetër. Këto njëherit, janë barrikadat që kishin mbetur ende të vendosura.
Mediumi serb “Kossev”, nga vendi i ngjajres ka raportuar se atje ndodhen më shumë se 10 vetura zytare, ku shumica i përkasin KFOR-it.
Por, bëhet e ditur se janë edhe dy vetura të policisë së Kosovës dhe disa gjipa të misionit të EULEX-it.
Zyrtarët e KFOR-it, fillimisht kanë ekzaminuar kamionët që ishin djegur, para se t’i largonin barrikadat.
Barrikadat në veri ndërkaq, filluan të hiqen mëngjesin e së enjtes. Të njëjtat qëndruan për 20 ditë, duke bllokuar lëvizshmërinë e qytetarëve.
Mëngjesi i së enjtjes nisi me djegien e 2 kamionëve që bllokonin një lagje në veri të vendit.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.” - thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Vlen të përmendet se dërgimi i ish-policit Pantiq në arrest shtëpiak derivoi në një shtensionim të situatës në veri. E pas ndryshimit të masës së paraburgimit, barrikadat, që ishin vendosur si shenjë proteste ndaj arrestimit të Pantiqit, filluan të largoheshin.
Pas këtyre zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dolën me një komunikatë të përbashkët, ku thuhej se kanë pranuar garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.
“Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.” – thuhej mes tjerash në këtë komunikatë.
