Dezinflacioni që po fsheh goditjen reale: çmimet e ushqimeve po vazhdojnë të gërryejnë buxhetet familjare
Ushqimi zë thuajse një të tretën e shportës mesatare të konsumit në Kosovë - saktësisht 32.76%, referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kur kjo kategori pëson rritje çmimesh, familjet e ndiejnë menjëherë presionin në buxhetet e tyre, pavarësisht asaj që pasqyrojnë shifrat e përgjithshme të inflacionit.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, çmimet e produkteve ushqimore shënuan rritje thuajse të pandërprerë, ndonëse ritmi i këtij shtrenjtimi pësonte luhatje nga muaji në muaj.
Çmimet e konsumit
Inflacioni gjatë gjashtëmujorit të parë
Janar–Qershor 2026
| Muaji | Inflacioni vjetor | Ndryshimi mujor |
|---|---|---|
| Janar | 7,7% | 0,4% |
| Shkurt | 8,0% | 1,2% |
| Mars | 6,5% | 0,4% |
| Prill | 5,6% | 0,1% |
| Maj | 5,1% | −0,2% |
| Qershor | 3,9% | −0,6% |
i Vlerat paraqesin ndryshimin e çmimeve krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak dhe me muajin paraprak.
Rënia e inflacionit vjetor nga 8.0% në shkurt në 3.9% në qershor duket si një lajm pozitiv. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se çmimet po rikthehen në nivelet e mëparshme. Kjo dukuri njihet si dezinflacion. Çmimet vazhdojnë të rriten, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë. Rrjedhimisht, shporta e konsumit nuk po bëhet më e lirë, por thjesht po shtrenjtohet me hapa më ngadalë.
Janari nisi presion të mbi disa nga kategoritë kryesore ushqimore. Vetëm përgjatë këtij muaji, çmimet e perimeve u rritën me 4.2%, ndërsa ato të mishit pësuan rritje prej 0.7%.
Në krahasimin vjetor, frutat kushtonin 15.5% më shtrenjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, mishi shënoi rritje prej 13.1%, kafeja, çaji dhe kakaoja u shtrenjtuan me 10.3%, ndërsa produktet e qumështit, djathit dhe vezëve me 8.7%.
Shkurti rezultoi muaji më i papërballueshëm i të gjithë periudhës. Brenda vetëm katër javëve, perimet pësuan shtrenjtim shtesë prej 5.8%, frutat u rritën me 4.0%, peshku me 2.7% dhe mishi me 2.4%.
E vetmja kategori që shfaqi tendencë rënëse ishte ajo e qumështit, djathit dhe vezëve, me tkurrje çmimi prej 2.8%. Sidoqoftë, ky korrigjim ishte i pamjaftueshëm për të amortizuar shtrenjtimin e pjesës tjetër të shportës.
Marsi reflektoi sinjalet e para të ngadalësimit, por pa sjellë një rënie reale të çmimeve. Ndonëse inflacioni vjetor zbriti në 6.5%, çmimet u rritën sërish me 0.4% në raport me shkurtin.
Gjatë këtij muaji, perimet u shtrenjtuan me 3.7%, frutat me 1.5% dhe artikujt e tjerë ushqimorë me 1.6%. Ndërkohë, mishi vazhdonte të kushtonte 12.4% më shumë se dymbëdhjetë muaj më parë.
Në mars, grupi i përgjithshëm i ushqimeve u shtrenjtua me vetëm 0.1%, ndërkohë që nëngrupi i ushqimeve bazë mbeti thuajse i pandryshuar.
Rënia prej 2.8% në çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve u asgjësua nga shtrenjtimi i vajrave me 1.4%, frutave me 1.5%, perimeve me 1.0% dhe mishit me 0.7%. Si rrjedhojë, norma vjetore mbeti thuajse e palëvizur, në nivelin 5.6%.
Në maj çmimet e këtij grupi ranë me 0.2% brenda muajit, e nxitur kryesisht nga lirimi i perimeve me 4.5%.
Megjithatë, kjo tendencë rënëse nuk u shtri në të gjitha produktet. Çmimi i mishit vijoi rritjen, duke shënuar shtrenjtim mujor prej 1.4%. Po ashtu, produktet e peshkut u shtrenjtuan me 1.7%, ndërsa frutat pësuan rritje prej 1.2%.
Norma vjetore e inflacionit prej 5.1% konfirmonte se shporta e konsumit mbetej dukshëm më e kushtueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë qershorit, lehtësimi i çmimeve u bë edhe më i prekshëm. Grupi i "ushqimeve dhe pijeve joalkoolike" pësoi rënie prej 0.6%, ndërsa vetëm kategoria e ushqimeve u lirua me 0.9%.
Kjo rënie u udhëhoq kryesisht nga perimet, të cilat u liruan ndjeshëm me 7.2%, të pasuara nga frutat me një rënie prej 1.1%. Mishi vijoi trajektoren e rritjes; çmimi i tij u rrit sërish me 0.5% brenda muajit, duke mbetur 10.3% më i lartë krahasuar me qershorin e vitit paraprak.
Nëse i referohemi serisë së harmonizuar të indeksit të çmimeve - metodologji e përdorur nga Eurostati për krahasueshmërinë ndërmjet vendeve - dinamika bëhet edhe më e vërejtëshme. Ky indeks arriti kulmin prej rreth 105.1 pikësh në prill, për të zbritur në 104.1 pikë në qershor. Sidoqoftë, ai mbetej rreth 1.1% mbi nivelin e regjistruar në dhjetor të vitit 2025.
E thënë ndryshe, dy muaj rënieje të lehtë nuk mjaftuan për të zhbërë efektin e katër muajve të njëpasnjëshëm të shtrenjtimit.
Nëse gjysma e parë e vitit 2026 do të mund të përmblidhej përmes një produkti të vetëm, ai pa dyshim do të ishte mishi.
Çmimet e produkteve bazë
Inflacioni vjetor i mishit
Janar–Qershor 2026
| Muaji | Inflacioni vjetor i mishit |
|---|---|
| Janar | 13,1% |
| Shkurt | 14,7% |
| Mars | 12,4% |
| Prill | 11,3% |
| Maj | 11,2% |
| Qershor | 10,3% |
iVlerat paraqesin ndryshimin e çmimit të mishit krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak.
Përgjatë asnjërit prej gjashtë muajve, inflacioni vjetor për këtë kategori nuk zbriti nën pragun prej 10%.
Çmimet reale në treg e ilustrojnë këtë shtrenjtim shumë më qartë sesa çdo shifër përqindjeje. Krahasimi i drejtpërdrejtë ndërmjet qershorit 2025 dhe qershorit 2026 e dëshmon këtë:
2021-2026
Shtrenjtimi i ushqimit nuk është dukuri e re për Kosovën. Të dhënat e pesë viteve të fundit tregojnë se familjet janë përballur me disa valë të njëpasnjëshme të rritjes së çmimeve.
Kapitulli i parë është viti 2021, kur Banka Botërore identifikoi ushqimin dhe karburantet si shtytësit kryesorë të inflacionit global dhe paralajmëroi për ndikimin e tyre në varfëri.
Krahasim vjetor
Inflacioni i përgjithshëm dhe ai i ushqimeve
2021–2026
| Viti | Inflacioni i përgjithshëm | Inflacioni mesatar i ushqimeve |
|---|---|---|
| 2021 | 3,4% | rreth 2,4% |
| 2022 | 11,6% | rreth 16,4% |
| 2023 | 4,9% | rreth 8,4% |
| 2024 | 1,6% | rreth 2,2% |
| 2025 | 3,9% | rreth 7,6% |
| Janar–qershor 2026 | 6,4% | rreth 6,0% |
i“Rreth” tregon se inflacioni i ushqimeve është paraqitur si mesatare e përafërt për periudhën përkatëse.
Kapitulli i dytë është goditja e vitit 2022. Inflacioni mesatar në Kosovë arriti në 11,6%, ndërsa në korrik kulmoi në 14,2%. Banka Botërore e konsideronte Kosovën veçanërisht të ekspozuar, pasi vendi importon pjesën më të madhe të ushqimit dhe energjisë që konsumon. Rritja e çmimeve të ushqimit dhe transportit rëndon më së shumti mbi familjet me të ardhura të ulëta.
Kapitulli i tretë është rikthimi i presionit gjatë viteve 2025 dhe 2026. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e lidh rritjen e inflacionit gjatë vitit 2025 kryesisht me ushqimin dhe me rritjen prej 16,1% të tarifave të energjisë elektrike nga prilli i atij viti.
Në një këndvështrim pesëvjeçar, indeksi i çmimeve të ushqimit u rrit me rreth 46,8% nga qershori 2021 deri në qershor 2026. Kjo do të thotë se ushqimi u bë pothuajse përgjysmë më i shtrenjtë brenda vetëm pesë vjetësh.
Në të njëjtën periudhë, indeksi i përgjithshëm i çmimeve u rrit me rreth 32,8%. Ushqimi, pra, është shtrenjtuar dukshëm më shpejt se pjesa tjetër e shportës së konsumit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se inflacioni i janarit 2026 u nxit kryesisht nga çmimet e ushqimit. Institucioni parashikon një normë mesatare inflacioni prej 5,9% për të gjithë vitin 2026, përpara se ajo të afrohet gradualisht me nivelin prej 2% nga mesi i vitit 2028.
Banka Botërore paralajmëron se zhvillimet ndërkombëtare mund të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi çmimet e energjisë dhe ushqimit gjatë gjithë vitit 2026.