Trumpi tërhiqet nga taksa e Hormuzit, thotë se do të marrë investime nga shtetet e Gjirit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për anijet e të gjitha shteteve përpos ato që vijnë nga Irani dhe se ai ka arritur marrëveshje “masive” për investime me shtetet e Gjirit Persik.
“Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë trafikun e anijeve përpos për Iranin – dhe kjo për shkak të udhëheqjes së tyre gënjeshtare, të dhunshme dhe keqdashëse, që po i çon në rrugën e shkatërrimit të plotë” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”, raporton gazeta “The Guardian”.
“Prandaj, ne do të kemi një bllokadë të plotë, por vetëm për anijet që vijnë nga dhe për në portet iraniane, ose që bartin çfarëdo që ka të bëjë me mallrat iraniane” – shtoi ai.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu shtoi se marrëveshjet për tregti dhe investime me shtetet e Gjirit Persik do ta zëvendësojë taksën prej 20 për qind për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, të cilën e kishte propozuar vetëm një ditë më parë.
“Duke u mbështetur në bisedime shumë produktive me udhëheqjen e Lindjes së Mesme, unë kam vendosur që ta zëvendësoj taksën e rimbursimit të ShBA-së prej 20 për qind me marrëveshje për tregti dhe investime që shtete të ndryshme të Gjirit do t’i bëjnë në Shtetet e Bashkuara” – shkroi më tej Trumpi.
“Këto investime do të jenë masive, por, në të njëjtën kohë, jashtëzakonisht të mira për ta dhe të ardhmen e tyre” – shtoi presidenti amerikan.
Ai gjithashtu premtoi se Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore.
“Amerika po fiton përsëri, po fiton si kurrë më parë. Ditët kur Irani vriste qindra mijëra njerëz, përfshirë 52.000 protestues, kanë marrë fund dhe, më e rëndësishmja, Irani kurrë nuk do të ketë një armë bërthamore” – shkroi Trumpi./Nacionale