Izraeli ndan 434 milionë dollarë për 34 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Izraeli ndan 434 milionë dollarë për 34 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një buxhet prej 1,3 miliard shekelësh (434 milionë dollarë) për ndërtimin e 34 vendbanimeve të reja në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha të martën ministri i Financave, i njohur për qëndrimet e së djathtës ekstreme, Bezalel Smotrich, duke i shtuar tensionet rreth territorit që gjerësisht shihet si pjesë qendrore për një shtet të mundshëm palestinez.

Organet e Kombeve të Bashkuara, palestinezët dhe shumica e shteteve i shohin këto vendbanime si të paligjshme sipas konventave ndërkombëtare – qëndrim i kontestuar nga Izraeli – dhe pengesë kryesore për paqen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri Smotrich, i cili për një kohë të gjatë e kundërshton shtetësinë palestineze, e udhëheq partinë Zionizmi Religjioz që një pjesë të madhe të mbështetjes e ka nga vendbanimet dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e 27 tetorit.

Vendbanimet e planifikuara do ta çonin në 103 numrin e përgjithshëm të vendbanimeve gjatë mandatit të tij 4-vjeçar. Smotrichi tha se 1,07 miliard shekelë të tjerë do të miratohen për shtrimin e rrugëve deri te vendbanimet e reja. Muajin e kaluar, ministrat qeveritarë ia dërguan kabinetit të sigurisë planin për financimin e vendbanimeve.

Smotrichi e quajti vendimin e kabinetit historik dhe “ditë feste për Izraelin dhe vendbanimet”, duke e falënderuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për mbështetjen e tij. Sipas sondazheve, Netanyahu pritet t’i humbë zgjedhjet e tetorit.

Muajve të fundit është shënuar shtim i dhunës nga kolonët kundër palestinezëve dhe pronave të tyre.

Rreth 700.000 kolonë izraelitë jetojnë në mesin e 2,7 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor./Nacionale

Lajme të ngjashme