Dështon për të tretën herë votimi për gjyqtar të Kushtetueses, përsëritet konkursi - NACIONALE

Dështon për të tretën herë votimi për gjyqtar të Kushtetueses, përsëritet konkursi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Po të ishte shkrimtarja gjermane, Erich Maria Remarque gazetare në Kosovë, sot do të shkruante se edhe këtë ënjtje nuk ka “asgjë të re nga fronti i zgjedhjes së dy gjyqëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”. Për të tretën herë radhazi Kuvendi i Kosovës ka dështuar të votojë dy kandidatë për t’u bërë pjesë e Kushtetueses si gjyqtar.

Deputetët e Parlamentit nuk i dhanë besimin asnjërit pret tre kandidatëve që qenë në garë për këto dy poste. As Albert Avdiu, as Bardh Bokshi e Etrur Maloku nuk u përkrahën sa duhuet për t’u përzgjedhur si gjyqtar i Kushtetueses.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, në emër të Komisionit të Posaçëm, pas votimit prezantoi votat nga komisioni votues.

“87 deputetë, dy të pavlefshme. Kandidati Albert Avdiu ka marrë gjithsej 60 vota, Bardh Bokshi ka marrë 52 vota, kurse Etrur Maloku 39 vota. Komisioni konstaton që asnjëri nga kandidatët s’i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, tha Beqa gjatë seancës së Kuvendit.

Pas tij, foli kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke konstatuar se për shkak të mos votimit të asnjërit prej kandidatëve në garë, konkursi do të përsëritet.

“Kësaj radhe 65 vota nevojiteshin, kurse më së shumti që mori ishte 60 vota, kështu që nuk zgjidhet asnjëri. Në bazë të raportit të komisionit të votimit, konstatoj që asnjëri kandidatë s’i mori votat e nevojshme për t’u propozuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, andaj përsëritet konkursi”, tha i pari i Kuvendit.

Tutje, Konjufca theksoi se Komisioni i Posaçëm i Kuvendit do të

Konjufca tha se komisioni duhet të merret me publikimin e thirrjes për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në pajtim me kushtet e parapara sipas ligjit.

Ndryshe kjo është hera e tretë që Kuvendi i Kosovës dështon të përzgjedhë gjyqtarët e Kushtetueses.

Në dhjetor të vitit 2021, Kuvendi ishte mbledhur për t’i dhënë fund sagës së votimit të gjyqtarëve të organit që interpreton Kushtetutën e Kosovës.

Përkundër që u zhvilluan tre raunde, Kuvendi nuk votoi as atëbotë asnjërin prej kandidatëve në garë.

Etrur Maloku, Bardh Bokshi dhe Hilmi Jashari nuk morën besimin e mjaftueshëm për të qenë pjesë e Kushtetueses.

Në mungesë të një marrëveshjeje politike, Kuvendi dështoi edhë në qershor të vitit të kaluar për zgjedhur.

Si shkon procedura?

Me dështimin e përzgjedhjes së dy gjyqtarëve, tashmë Kuvendi duhet të hap thirrjen për nominimin e kandidatëve, të cilët bëhen personalisht nga kandidati që dëshiron t’i futet garës për t’u bërë pjesë e Kushtetueses si gjyqtar.

Në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese thuhet se “një person mund të propozojë veten për kandidat”.

Sipas nenit 6 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese përcakton se duhet të themelohet një Komision i posaçëm, që udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit apo nga përfaqësuesi i tij.

Komisioni, që përbëhet nga anëtarë të të gjitha grupeve parlamentare, KGJK, Avokati i Popullit etj., i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtar.

Pastaj, komisioni i posaçëm interviston me shkrim e me gojë të gjithë kandidatët dhe brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh i dërgon Kuvendi listën e ngushtë të kandidatëve për gjyqtar të Kushtetueses.

“Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjyqtarëve të cilët do të zgjedhën, por jo më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë”, thuhet në nenin 6.8 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

E emrat e propozuar nga Komisioni votohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

Lajme të ngjashme