Deri më 8 gusht nuk do të dështojë asnjë seacncë Kuvendi, 12 ditë rehat
Kuvendi i Republikës asesi të bëhet me kryetar e nënkryetarë. Lëvizja Vetëvendosje në një skenar të pa parë në Republikën e Kosovës, arriti ta dështoj seancën konstituive, plot 54 herë. Ndoshta do ta dështonin 100 herë, por Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme. Pra ua pamundësoi deputetëve të shkojnë në Kuvend deri me datë 8 gusht. Deri më 8 gusht, të paktën nuk do të ketë dështime të Kuvendit, sepse s’do të ketë Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik që doli i pari në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk hoqi dorë nga kërkesa për krijimin e një Komisioni për votim të fshehtë në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Ky veprim, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është i parashikuar apo i zbatueshëm në kontekstin e seancës konstituive. Rregullorja e Kuvendit nuk lejon devijime nga rendi i parashikuar i ditës dhe priorizon praktikën e deritanishme parlamentare, e cila mbështetet në votimin e hapur.
Gjykata Kushtetuese, siç ishte shpjeguar nga juristët, ka konstatuar se seanca konstituive është një akt unik kushtetues, pa mundësi për mocione procedurale apo ndryshime ad hoc.
Edhe në këtë seancë të fundit, propozimi për formimin e komisionit nuk u përkrah nga deputetët e partive të tjera, duke vazhduar një seri dështimesh që nga prilli 2025, kur u thirr seanca e parë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në arsyetimin e masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese theksoi se, pa vendosjen e kësaj mase ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të Kuvendit pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim apo veprim i ndërmarrë deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës mund të shkaktonte dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe për funksionimin e institucioneve kyçe të saj.