Deputeti i VV-së: Zv/ministri Radomiroviq nuk ishte pjesëmarrës në luftë
Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka komentuar reagimet lidhur me emërimin e Radoica Radomiroviq si zv/ministër. Ky i fundit që e kishte pranuar se ka qenë pjesë e ushtrisë jugosllave në luftën në Kosovë.
Megjithatë, Rexhaj ka deklaruar se ky zv/ministër nuk ka qenë pjesëmarrës në luftë.
“Sa i përket emërimeve ju e dini se në pikën e përplasjeve Kosovë-Serbi, kushdo që bashkëpunon me institucionet dhe LVV-në, sidomos në komunat në veri, Serbia ka shantazhuar qytetarët atje, duke djegur edhe veturat dhe shtëpitë. Në këtë rast paramendo kur dikush nga ata vjen si drejtor ata e shpallin edhe si tradhtar. Në fakt vet zëvendësministri nga komuniteti serb doli dhe shpjegoi se nuk ka qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës. Unë personalisht jam marrë me këto çështje dhe më interesojnë kriminelët e luftës, kam bërë hulumtime dhe emri i tij nuk figuron në pjesën e krimeve të luftës. Prokuroria Speciale tani ka filluar ndjekjen ndaj kriminelëve të luftës dhe sikur të ishte i tillë ai do të arrestohej”, përfundon Rexhaj për KosovaPress.