Dënohet dhuna ndaj ekipit të Nacionales, kërkohet arrestimi i sulmuesve - NACIONALE

Dënohet dhuna ndaj ekipit të Nacionales, kërkohet arrestimi i sulmuesve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot pas xhumasë në Prizren është mbajtur një protestë në kundërshtim ndaj DokuFestit, e cila ishte ftuar edhe nga kryeimami i BIK-ut në Prizren, Besim Berisha. Siç tashmë është publikuar, ekipi i Nacionales, që ishte prezent për të përcjellur këtë protestë, është sulmuar fizikisht. Në lidhje me këtë sulm ka pasur shumë reagime, ndërsa AGK-ja e ka dënuar ashpër sulmin. Çka ndodhi?

Në protestë, u sulmuan fizikisht gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi dhe kameramani i Nacionales. Në këtë protestë, u dëgjuan edhe thirrjet islame “Allahu akber”, që në shqip i bie “Zoti është më i madhi”.

Reagimet

Në lidhje me këtë sulm fizik, kanë reaguar shumë fytyra publike, të cilat e kanë dënuar këtë sulm. Ndër të parat që reagoi ishte aktivistja dhe analistja Zana Avdiu. Ajo ka shkruar se protesta nuk duhej të mbahej hiç. Tutje, ajo e ka cilësuar si trishtim faktin që ka kaq shumë dhunë në një vend kaq të vogël si Kosova.

“Ekipa e Nacionales, koka sulmu ne Prizren. Gazetari Vullnet Krasniqi dhe kameramani, te cilet kane shku ta percjellin protesten kunder DokuFest, jane sulmu nga disa persona, per shkak te qendrimeve te tyre.

Pra, dhuna verbale dhe nxitja e urrejtjes neper rrjete sociale, tash ka nis te praktikohet edhe ne jeten reale.

Ajo proteste sdo te duhej te mbahej hic. Eshte e frikshme, se si prijesit fetare therrasin protesta, qe jane kunder njerezve, kunder lirive themelore te njerezve, e qe nxisin urrejtje.

Gjithe kjo dhune, ne nje vend kaq te vogel, eshte per trishtim.” – shkroi Avdiu ndër të tjera.

Ndërsa juristja e medies, Flutura Kusari. Ajo ka shkruar se sulmuesit duhet të arrestohen menjëherë.

“Kriminelët duhet të arrestohen menjëherë. Për çdo minutë që ata nuk janë në paraburgim, mesazhi është msyjani gazetarëve se nuk keni pasoja. Pa u rritë dënimet për sulme online dhe fizike ndaj gazetarëve dhe pa u ndal denigrimi verbal i gazetarëve nga njerëzit e veshur me pushtet politik, fetar apo financiar, të bërit gazetari do të vazhdojë të përkeqësohet më shpejtësi." – shkroi ajo.

Edhe analisti Imer Mushkolaj ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi dhe kameramanit në protestën kundër DokuFest-it.

Mushkolaj ka thënë se dhuna verbale nga rrjetet sociale kalon në dhunë fizike, ku ka shtuar se sa më shpejt duhet të merren organet përkatëse me këtë çështje.

“Dhuna verbale nga rrjetet sociale kalon në dhunë fizike. Me ata që sulmuan gazetarin e Nacionales, Vullnet Krasniqi dhe kameramanin, në protestën antiDokuFest në Prizren, sa më shpejt duhet të merren organet përkatëse. Por, policia e prokuroria duhet të merren edhe me të tjerët të cilët, në emër të "ruajtjes së moralit", nxisin urrejtje e mosdurim. Në mesin e tyre ka edhe udhëheqës fetarë.” – ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj ekipit të Nacionales.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit në Prizren.

Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”.

Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre.” – shkroi AGK-ja.

Protesta...

Ndryshe, protesta erdhi pas kundërshtimeve verbale, përmes shkrimeve në Facebook. “Kryengritja” ndaj DokuFestit, për shkak të një paraqitjeje skenike të grave gjysmë të zhveshur e në përkrahje të abortit e transgjinorëve, u materializua edhe në terren. Më saktë në ora 14:00, pra pas faljes së xhumasë, është mbajtur një protestë në Prizren, vendin ku organizohet edhe DokuFesti.

Besim Berisha, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës në qytetin e Prizrenit, ishte ai që e postoi ftesën ditë më parë për protestë kundër DokuFestit, emrin e të cilit festival e shkroi me shkronja të vogla. Qëllimi i protestës duket të jetë kundërshtimi i financimit nga paratë publike të festivalit të njohur ndërkombëtarisht.

Në fakt, Berisha nuk ka treguar se kush e organizon protestën që mbahet pas namazit të xhumasë, duke kërkuar që njerëzit t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së organizatorëve.

“FTESË KUNDËR dokufest

Jo me paratë tona, jo mbështetje financiare shtetërore!!

Të premten në ora 14:00, në Sheshin Shadërvan, takohemi së bashku për ta ngrit zërin tonë kundër dokufest, pro familjes.

Hajde edhe ti, t'i përgjigjemi pozitivishtë ftesës së organizatorëve.” – shkroi ai mbrëmë në Facebook.

Lajme të ngjashme