“Dënim maksimal”: Politikanët reagojnë pas vrasjes së 21 vjeçares në Ferizaj - NACIONALE

“Dënim maksimal”: Politikanët reagojnë pas vrasjes së 21 vjeçares në Ferizaj

2 javë më parë

nga NACIONALE

Vrasja e një 21 vjeçareje dhe plagosja e vëllait të saj 15 vjeçar nga ish-bashkëshorti i viktimës ka tronditur vendin. Rasti ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I dyshuari, 36 vjeçar tashmë është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje. Ngjarja ndërkaq, ka shkaktuar shumë reagime.

Ndër të parët që reaguan, ishte kreu i komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ai u shpreh i tronditur nga ky rast.

“Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës.” – tha ai mes tjerash.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.

“Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve.” – u shpreh ajo.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Në një reagim të shkurtër në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri ka shkruar mes tjerash këto fjalë:

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia.” – ka thënë ai.

Duke folur në lidhje me rastin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pasur kritika edhe për sistemin e drejtësisë, duke thënë se po bëhen dënime qesharake.

“Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë.” – u shpreh ajo.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se ky është një krim që ripërsëritet muaj pas muaji në vendin tonë. Sipas tij, rëndësi kanë veprat, përtej fjalëve e thirrjeve.

“Përtej fjalëve dhe thirrjeve, sot, rëndësi kanë veprat. Jo vetëm ato të organeve të drejtësisë, por të të gjitha mekanizmave të shtetit – politik dhe administrativ.– tha ai.

Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Hykmete Bajrami ka thënë se këto ngjarje janë bërë të shpeshta dhe nuk bën të injorohen.

“E tronditur thellësisht nga lajmi për vrasjen e një gruaje në Ferizaj. Sipas informatave që qarkullojnë po dyshohet se dorasi është ish-burri i saj, dmth. që kanë qenë të ndarë. Nuk i ka mjaftu ndarja i është dashur ta vrasë, i ka pengu ekzistenca e saj. Duhet me u zgju nga gjumi, këto ngjarje janë bërë tepër të shpeshta dhe nuk guxojmë me i injoru derisa të na trokasin në derë.”

Në mbrëmje, me një reagim doli edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili paralajmëroi se do të punojnë për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë në arrestimin e dorasit dhe do të kujdesem që të ndërmarrim gjithçka që na takon si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar. Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë.” – tha ai.

Lajme të ngjashme