Delawie: Kosova do të kishte marrëdhënie më të mira me ShBA-në nëse t’i integronte serbët
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka folur në lidhje me kritikat ndaj ShBA-së e BE-së rreth qasjes së tyre ndaj Kosovës.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Delawie ka thënë se nuk mendon që lidhja mes Kosovës dhe ShBA-së mund të thyhet.
Megjithatë, ai shtoi se nuk mund të mohohen vështirësitë aktuale në marrëdhëniet mes dy shteteve.
“Shpresoj që këto vështirësi të jenë vetëm kalimtare dhe se do të kthehemi në lidhjen e mëparshme në të ardhmen e afërt. Mendoj se mosmarrëveshja më e rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara lidhet me zgjedhjet për kryetarët e komunave në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës, me shumicë serbe, për të cila Kosova, në njëfarë forme shpërfilli Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian… ngaqë qeveria nuk e mori parasysh këshillën e SHBA-ve për të mos i dërguar me forcë në zyrat komunale kryebashkiakët.” – ka deklaruar tutje ai.
Delawie ka përmendur edhe bojkotimin e zgjedhjeve, protestat, lëndimet e ushtarëve të KFOR-it, duke thënë se “ishin sjellje që nuk mund të mbrohen”.
“Mendoj që bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët e Kosovës, protestat kundër rezultatit të tyre, dhe lëndimi i këtyre paqëruajtësve, ishin me të vërtetë sjellje që nuk mund të mbrohet, e që u pasua me arrestimin e disa policëve të Kosovës, brenda territorit të Kosovës, nga qeveria serbe. Ishte tejet provokuese.” – theksoi ai.
Por në fund, sipas ish-ambasadorit amerikan, Kosova do të kishte marrëdhënie më të mira me SHBA-në e BE-në “nëse do të bënte më shumë përpjekje për të integruar serbët e Kosovës”, si dhe “po ta formonte Asoiciacionin”.
“Por, njëkohësisht, mendoj se Kosova do të kishte marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara, me evropianët, sikur të bënte më shumë përpjekje për të integruar serbët e Kosovës në shoqëri dhe të përmbushte përgjegjesitë e saja për të krijuar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Përpjekjet për integrimin e tyre qartazi kanë shënuar rënie në dy vitet e fundit.” – tha ai.