Deklarata për "gjyshet" e Bislimit e caktimi i datës për takimin Kurti-Vuçiq: Çka ndodhi gjatë javës?
Caktimi i datës për takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq , ishte ndër ngjarjet kryesore të javës që po e lëmë pas. Ndërkohë edhe gjatë kësaj jave, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës nuk u larguan, këto masa siç i raportua pritet që të hiqen pjesërisht e gradualisht, por jo tërësisht. Çka ndodhi?
Takimi i ri, rezultatet…?
Të mërkurën më 26 qershor pritet që të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Ky takim është i parë që nga sulmi në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar.
Ky takim i nivelit të lartë do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Takimi duket se po mbahet pas vizitës që pati i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak në Kosovë e pastaj në Serbi.
Pas takimit që pati me Vuçiqin, Lajçak tha se patën një diskutim të hapur për situatën aktuale në dialog.
“U pajtuam për hapat e ardhshëm në periudhën që vjen.” – tha ai tutje.
Në Kosovë, emisari Lajçak u takua me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Ky i fundit, tha se u diskutua për rrugën përpara në Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Zbatimit të Ohrit.
“Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.” – thuhej tutje.
Megjithatë, nuk u përmenden “hapat e ardhshëm për dialog”.
Kosova po kërkon që Serbia të dënohet për sulmin në Banjskë dhe për shkelje të marrëveshjeve.
Në anën tjetër, pala serbe po kërkon nga Kosova që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Mbetet të shihet nëse ky takim do të ketë rezultate.
Masat ndëshkuese
Gjatë kësaj javë, kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ka dorëzuar raportin e tij për masat ndaj Kosovës.
Ky raport është disktuar dhe në media është raportuar se se nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese, të vendosura para një viti ndaj Kosovës, pas tensioneve në veri të vendit.
Megjithatë, siç raporton “REL”, si kompromis pritet që masat të hiqen pjesërisht e gradualisht.
Burimet në lidhje me rekomandimin, thanë:
“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.
Nga ana tjetër, Kosova këto masa i ka quajtur të padrejta, teksa në vazhdimësi ka kërkuar që ato të largohen sa më parë.
Javën që po e lëmë pas ndodhi edhe një deklaratë e zëvendëkryeministrit, Besnik Bislimi, e cila u komentuar gjerë e gjatë në rrjetet sociale.
Bislimi që njihet për këso deklarata, në mbledhje të Komisonit për Integrime Evropiane, tha: “Shifrat për emigrimin do të dalin, krejt ajo panika që është përhap ka dështu, nuk kanë dal as rinia, as të vjetërit. Kanë dal gjyshet, kanë shku me i këqyrë nipat, u knaqën. Por, ato s’kanë qenë pjesë e fuqisë punëtore.”
Kjo deklaratë e tij u kritikua duke u thënë se Bislimi dhe Qeveria po tentojnë të mimizojnë sfidën me migrimin e fuqisë punëtore nga Kosova në vendet evropiane.