Kurti e Vuçiq takohen të mërkurën - NACIONALE

Kurti e Vuçiq takohen të mërkurën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet të takohen në Bruksel të mërkurën, më 26 qershor.

Kështu raporton “REL”, duke thënë se kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ky takim i nivelit të lartë do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Po ashtu, mediumi raporton se për mbajtjen e bisedimeve është rënë dakord gjatë vizitave që emisari Miroslav Lajçak pati në Kosovë e Serbi.

A e paralajmëroi takimin Lajçak nga Serbia?

Pas takimit që pati me Vuçiqin, Lajçak tha se patën një diskutim të hapur për situatën aktuale në dialog.

“U pajtuam për hapat e ardhshëm në periudhën që vjen.” – tha ai tutje.

Takimi Lajçak-Bislimi

Në Kosovë, emisari Lajçak u takua me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Ky i fundit, tha se u diskutua për rrugën përpara në Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Zbatimit të Ohrit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.” thuhej tutje.

Megjithatë, nuk janë përmendur “hapat e ardhshëm për dialog”.

Në anën tjetër, i dërguar i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pas takimit tha se janë diskutuar dy çështje. Marrëveshja Bazike dhe Plani i Rritjes, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.

Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”. – ka thënë ai.

Ai tutje shtoi se për të arritur të përfitohet nga ky fond, duhet që palët të jenë konstruktive.

Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme