Deda pas zhvillimeve në Kuvend: Nuk është normal vazhdimi i gjenerimit të krizave politike
Analisti i çështjeve politike, Ilir Deda ka thënë se nuk është normal vazhdimi i gjenerimit të krizave politike.
Në një shkrim në Facebook, ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kohë dy muaj për marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Nuk është normal vazhdimi i gjenerimit të krizave politike. Nëse deri nesër në mesnatë nuk konstituohet Kuvendi, atëherë TË GJITHË deputetët e zgjedhur bëjnë shkelje të rëndë kushtetuese. Por në Kosovën tonë nuk ka asnjë masë ndëshkimore për këtë sepse njerëzve normal nuk i ka shku mendja që diçka e tillë mund të ndodhë.
Nuk ka asnjë arsye që të zvarritet konstituimi i Kuvendit, sidomos tash që NUK KEMI as u.d të presidentit.
LVV ka mundur qe 2 muaj të mirret vesh me LDK për bashkëqeverisje dhe për presidentin e ardhshëm. Nëse ka vullnet, dëshirë dhe seriozitet mund të dakordohen edhe nesër”, ka thënë ai.
Tutje, Deda ka shtuar se Kosova nuk mund të mbetet peng i paaftësisë për zgjedhjen e presidentit.
“Por çështja më e rëndësishme nuk është ndarja e posteve, por cila do të jetë politika e re e qeverisë eventuale LVV-LDK.
Pa marrë parasysh a do te këtë marrëveshje apo jo, Kosova nuk mund të mbetet peng i paaftësisë të zgjidhjes të presidentit. Askush, ama bash askush nuk ja u ka për borxh këtë fundosje të Kosovës”, ka shkruar ai.