Decentralizimi dhe krijimi i komunave të reja është çelësi i mirëqeverisjes
Shkruan: Gazmend Demolli
Gabimi më i madh politik i disa partive politike në Kosovë, historikisht, pa asnjë dyshim, është kundërshtimi i decentralizimit. Kundërshtimi i dhunshëm, bazuar kryekëput në mosdije, në mosnjohje të vendit dhe asaj që këtij vendi i duhet që të zhvillohet në tërësi, gjerë dhe gjatë.
Vendet e zhvilluara dallojnë nga ato të pazhvilluarat edhe për nga niveli i decentralizimit dhe nivelit të fragmentimit lokal. Vendet e zhvilluara shpenzojnë në përqindje më shumë në nivelin lokal, i kanë komunat më të vogla si në numër të banorëve po ashtu edhe në sipërfaqe.
Për të mos marrë shembull shtetet si Franca, Greqia ose Zvicrra ku historikisht ka njësi komunale shumë të vogla, edhe pse ato kanë një funksionim të mirë, do të ndalesha shkurtimisht te reforma e njësive komunale në Slloveninë e vitit 1994 dhe evoluimi i saj. Sllovenia ka dalë nga Jugosllavija me 62 komuna dhe tash ka 213 sosh, prej të cilave janë 11 komuna urbane me kompetenca dhe detyra të shtuara. Jashta këtyre 11 komunave urbane, mesatarja e popullësise së administruar nga një komunë është 6700 banorë, me 57 komuna nën 3000 banorë. Ky standard është një nga standardet më optimale të qeverisjes lokale, për një tipologji të ngjashme gjeografike me atë të Kosovës.
Sipas këtij standardi, Kosova do të duhej të ketë diku rreth 100 komuna prej tyre një kryeqytet me kompetenca shtesë dhe ligj për kryeqytetin, dhe 7 komuna tjera urbane që do të kishin strukturen dhe kompetencat aktuale, dhe 90 deri në 100 komuna tjera të dizajnuara në bazë të shtrirjes territoriale ekonomike të popullësisë që do të kishin një thjeshtëzim të funksionimit duke i koncentruar fondet në investime e më pak në paga.
Për të qenë edhe më afër realitetit të shtrirjes së popullsisë në Kosovë, do të ishte optimale që struktura sub-nacionale e pushtetit të kishte 5 tipe të ndryshme të njësive komunale. Një është kryeqyteti, me ligj të veçantë dhe me aspirata për të përgatitë Prishtinën për shekullin XXII. Por, nga përvoja e dimë se ata që qeverisin me të, nuk po arrijnë të bashkëdyzojnë zgjidhjen e problemeve të mëdha futuristike, me ato të vogla të jetës së përdtshme. Nuk po arrijnë të zgjidhin problemin e rrugës “Muharrem Fejza” dhe në të njëjten kohë të mendojnë për projektimin e një qendre moderne, e mos të flasim për Marecin. Prandaj duhet që brenda Prishtines të ketë njësite komunale që janë më afër qytetarit: Dardania me Lakrishte kish me qenë një njësit komunal, Mati psh një tjetër, Vranjevci, Hajvalija e kështu me radhë. Ky do të ishte tipi i dytë i njësisë komunale.
Tjetri tip, i treti, do të ishte komuna turistike, vendet si Brezovica, Boga, Mareci, Mirusha, Pashtriku, e të tjera vende të cilat duke i organizuar si njësite të veçanta organizative do të fokusoheshin kryekëput në zhvillimin e kapaciteteve dhe ofertës turistike. E futa Marecin në këtë listë si ilustrim edhe për fshatrat e tjera të bukura ku mund të zhvillohet një turizëm i ri i gjelbër, të cilin potencial nuk e ka zhvilluar asnjëherë komuna e Prishtinës sepse sistemi i tanishëm i vetëqeverisjes lokale nuk e mundëson këtë gjë. Mbetet pjesa tjetër e territorit e cila duhet të fragmentohet sipas modelit Slloven, pra në komuna urbane të tipit Gjakovë, Pejë, Prizren etj dhe në ato më të vogla të cilat do të dilnin nga struktura e tashme komunale si komuna të reja. Pra siç është krijuar Juniku apo Hani i Elezit, Mushtishti të krijohen edhe shumë komuna tjera.
Duke afruar njësinë komunale vendim-marrëse sa më afër qytetarit, bëjmë që çështjet dhe problemet lokale të jenë shumë më homogjene, preokupimet e njëjta. Sot për shembull Kamenica është komunë që ngërthen në vete vise malore me preokupime krejtësisht të ndryshme nga ato të fshatrave të rrafshit, diametralisht. As stinët nuk i kanë të njëjta.
Por nuk duhet që komuna e Junikut të ketë të njëjtën strukturë organizative sikur ajo e Pejës. As komuna e Graçanicës sikur ajo e Prishtinës. Ranillugu, Mushtishti, Zubin Potoku etj nuk kanë nevojë për të njëjten strukturë si komunat e mëdhaja. Sepse të gjitha fondet kështu shpenzohen në rroga e jo investime të mirëfillta zhvillimore. Por nuk është dashtë që Juniku të ndërtojë ndërtojë një ndërtesë të komunës thua ti është Shtëpia e Bardhë. Hyni krahasoni ndërtesat e komunave të ngjashme në Slloveni se sa më të vogla janë, sa më afër qytetarit janë.
Nëse e analizoni organogramin e një komune të vogël në Slloveni, por edhe kudo në Evropë, do e shihni se sa i thjeshtë është. Nuk ka drejtori për këtë a për atë. Komuna kujdeset për një seri çështjesh lokale, por organizimi është më i thjeshtë sepse njësia administrative është më e vogël, taze. Nejse, dua të theksoj vetëm një aspekt të kësaj reforme që do të jetë zgjidhje për një problem tjetër aktual.
Këtu është zgjidhja. Duke i krijuar këto komuna të reja të vogla, komunat me shumicë serbe, hiq Mitrovicen e veriut, do të binin në kategorinë e komunave të vogla me organogram të thjeshtëzuar dhe me kompetenca vërtet lokale. Nuk do të dukeshin byrokratike dhe të stërmbushura me personel të ideologjizuar nacionalist apo partiak. Ato komuna do të ishin më pak politike dhe më afër popullit.
Asocimi i komunave të tilla të vogla mes vete për të përmbushur bashkarisht detyra të dalura nga kushtetuta nuk mund të jetë aspak i rrezikshëm për rendin kushtetues apo shtetëror. Ky riorganizim territorial do t’i bënte pakrahasueshmërisht shumë dobi të gjitha territoreve rurale në Kosovë, të cilave u është bërë dëm të madh në investime. Një reformë e tillë do t’u jepte vullnet qytetarëve të punojnë për lokalitetin e tyre, do të fshinte garat mes fshatrave dhe do të kishte projekte të shumta me destinim real për nevoja reale të popullsisë lokale. Janë tri asociacione të komunave në Slloveni, të udhëhequra nga borde të përbëra nga kryetarët e komunave. Janë asociacione, jo njësi territoriale. Duke qenë se me fragmentizim dhe ridizajnim të strukturave komunale do të zvogëlohej korpusi administrativ komunal, do të zvogëlohej pesha administrative politike e komunave që do ta bënte një asociacion të tillë shumë më pak politik, por më funksional për sa i përket nevojave të qytetarëve.
Në shkrimin e radhës do të tregoj pse jam pro asociaionit të komunave serbe, asociacionit të komunave turke, asociacionit të komunave të Anamoravës, të Anadrinit apo ato turistike. Për më shumë mund edhe të diskutojmë në njëren nga space-at e ardhshme në Twitter.