Prishtina: Çeko tërhiqet nga debati në Klan Kosova, Rama ironizon, Syla propozon “zgjidhje amerikane”
Debati i parë i kandidatëve për kryetar të Prishtinës pritej të mbahej të hënën në emisionin Rubikon në Klan Kosova. Por kandidati i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeko, nuk do të jetë pjesë e ballafaqimit, duke shkaktuar reagime të mëdha në vend. Anipse Vetëvendosje, shpeshherë përmend argumentin e “kryetarit kukull” kur u referohet kryetarëve nga partitë e tjera, ata duket se dhanë sinjale të qarta se “kryetar kukull” mund të jetë pikërisht kandidati i tyre Hajrullah Çeko. Ky i fundit që para pak ditësh u pa i shoqëruar (duke e dëgjuar) Dejona Mihalin, nuk “po lejohet” nga partia e tij, të marrë pjesë në debatin për Prishtinën, në “Rubikon” te Klan Kosova.
Vetëvendosje: Nuk shkojmë në Klan Kosova
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, njoftoi publikisht se partia e tij ka vendosur të mos marrë pjesë në debatet e Klan Kosovës.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk merr pjesë në debatet e TV Klan Kosova. Ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen në TV Dukagjini, në 2 debate, në KTV, në Kanal 10 si dhe në Radiotelevizionin publik. Çdo njoftim tjetër është spekulim”, shkroi ai.
Ndryshe, më parë ka qenë vet Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti që kishte dhënë intervistë për gazetarin Adriatik Kelmendi, në Klan Kosova. Si dhe disa eksponent të tjerë, të cilët së fundmi kanë marrë pjesë në intervistat e realizuara nga ky television.
Përparim Rama: “Nuk jeni as të punës as të fjalës”
Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati i LDK-së, Përparim Rama, reagoi menjëherë ndaj mungesës së kundërkandidatit të tij.
“Hajrullah, ju nuk jeni as të punës as të fjalës! Unë e kom ditë po sot e morrën vesh krejt qytetarët e Prishtinës!”, tha Rama, duke e akuzuar rivalin e VV-së për mungesë guximi.
Ai i ftoi të gjithë kundërkandidatët në një debat më 6 tetor, duke insistuar se qytetarët meritojnë ballafaqim të drejtpërdrejtë.
Adriatik Kelmendi: Çeko ishte ftuar, por u tërhoq
Moderatori i emisionit Rubikon, Adriatik Kelmendi, reagoi ndaj deklaratës së Vetëvendosjes, duke dhënë detaje nga prapaskena.
“As unë, as ekipi i Rubikon, asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk i ka bërë ftesë partisë ‘Vetëvendosje!’. E vërteta është që unë e kam ftuar personalisht kandidatin Hajrullah Çeko. Katër kandidatët e tjerë e kanë konfirmuar menjëherë. Z. Çeko fillimisht më është përgjigjur me mirësjellje dhe më tha se një zyrtar nga ekipi i tij do të më kontaktojë. Por asnjëherë nuk më ka thënë se nuk do të vijë. Kjo është e vërteta. Gjithçka tjetër është spekulim”, theksoi Kelmendi.
Ai konfirmoi se debati do të mbahet të hënën, me pjesëmarrjen e Përparim Ramës (LDK), Uran Ismailit (PDK), Bekë Berishës (AAK) dhe Besa Shahinit (PSD).
Valon Syla: “Debat neutral në Bibliotekën Kombëtare”
Gazetari Valon Syla propozoi një zgjidhje ndryshe, duke sugjeruar që debatet të zhvillohen në një terren neutral, të transmetohen nga të gjitha televizionet dhe të moderohen nga një figurë e pavarur.
“Më e mira e debateve për Prishtinën do të ishte që të mbahet në një vend neutral si Biblioteka Kombëtare, që do ta transmetonin të gjitha televizionet sikur në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, do të mund ta moderonte Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve. Përndryshe, preferencat televizive janë nënçmim për gazetarët dhe qytetarët”, shkroi Syla.