Dardan Molliqaj: Astrit Dehari ka vdekur në pushtetet e kaluara dhe po vritet nga pushteti aktual
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, beson se Qeveria Kurti nuk është e interesuar ta zbardhë rastin dhe të vendosë drejtësi për Astrit Deharin.
Për Molliqaj nuk është një zhvillim i papritur humbja e mostrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ish-sekretari i VV-së thotë se Astriti ka vdekur në pushtetet e kaluara, ndërsa po “vritet” nga pushteti aktual.
“Bindjet e mia ideologjike dhe karakteri im politik nuk ma lejon me instrumentalizu asnjë njeri në Kosovë, aq më pak për një njeri si Astrit Deharin, të cilin e kam pasur shok dhe bashkaktivist”, - tregon Molliqaj.
Në një intervistë për Indexonline, ai thotë se nuk e di kujt i konvenon zhdukja e mostrave të Astrit Deharit.
“Nuk iu konvenon të gjithë atyre që duan drejtësi për Astritin. Besoj që kanë qenë pak ata që kanë dashur drejtësi për Astritin. E kam fjalën ata që janë nëpër institucione, nëpër parti politike, nuk e kam fjalën për qytetarë. Ka të ngjarë që kanë mbetë edhe më pak. Ne si grup politik (PSD-ja) kemi qenë gjithmonë për drejtësi në rastin Dehari. Në të njëjtën kohë, që nga dita e themelimit të Qeverisë Kurti 2, kemi deklaruar se kjo qeveri nuk e ka interesin të vendosë drejtësi për Astrit Deharin. Prandaj për neve nuk paraqet kurrfarë zhvillimi dramatik, është një zhvillim i pritur prej neve jodetyrimisht humbja e mostrave, por zhvillimet që të çojnë në mungesë të vendosjes së drejtësisë për Astrit Deharin”, tha Molliqaj.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes foli edhe për acarimin e raporteve të deputetit Haki Abazi me kryeministrin Albin Kurtin.
“Jo nuk besoj që ka asnjë send të ngjashëm ose të përsëritshëm. Aty ka ashiqare probleme mes tyre. Po edhe bashkimet mes tyre kanë qenë bashkime të interesit, edhe Kurti me Abazin, edhe Abazi me Kurtin. Krejt çka ka ndodhë tash, janë prishë interesat”- tha Molliqaj.
