Dallaveret në çerdhen “Botanika”, flet drejtori i Arsimit: Nuk kemi kompetencë vendimtare
Gazeta “Nacionale” raportoi dje se ish-administratorja e çerdhes “Botanika”, Qëndresa Makolli, e cila dyshohet se ka përpiluar dhe dërguar një listë të dyshimtë në Komunën e Prishtinës, po vazhdon të gëzojë benefite të pamerituara nga ky institucion, pavarësisht shkarkimit nga detyra një vit më parë.
Sipas burimeve të gazetës Nacionale, Makolli ende i dërgon dy fëmijët e saj në çerdhen “Botanika”, por dyshohet se nuk po kryen pagesën e plotë për shërbimet e ofruara.
Burimet pohojnë se ajo ka borxhe ndaj institucionit dhe se po përfiton nga një skemë zbritjeje që u takon vetëm anëtarëve aktualë të stafit të “Botanikës” – edhe pse ajo nuk është më pjesë e tij.
Për temën në fjalë kanë folur Prokuroria Themelore e Prishtinës, kopshti “Botanika”, si dhe përfaqësuesit ligjorë të zonjës Makolli.
Për këtë rast, përgjigje ka kthyer edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili në një përgjigje për gazetën Nacionale tha se:
“Po, Komuna dhe Drejtoria e Arsimit kanë rol në këtë çështje, por jo kompetencë të plotë vendimmarrëse. Drejtoria e Arsimit është pjesë e Këshillit të Kopshtit dhe, në këtë cilësi, mund të dërgojë vërejtje zyrtare, të ngrejë shqetësime dhe të kërkojë respektim të rregulloreve dhe trajtim të barabartë. Megjithatë, ajo nuk ka kompetencë vendimtare, pasi në strukturën e kopshtit organi më i lartë vendimmarrës është Kuvendi. Për rrjedhojë, Drejtoria e Arsimit mund të ushtrojë presion institucional dhe këshillues, por vendimi përfundimtar për lejimin ose ndalimin e një praktike të tillë i takon Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e tij.
Përveç tjerash, Shahini ka bërë me dije se pas verifikimit të listave për subvencionim, numri i saktë i fëmijëve që aktualisht janë duke u subvencionuar është 15.
“Pas verifikimit të listave të subvencioneve nga komisioni i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), numri i saktë i fëmijëve që aktualisht janë duke u subvencionuar në kopshtin ‘Botanika’ është 15.”
Për më shumë, ndiqeni storien: