Dallavere me subvencione në Podujevë – si u dhanë mijëra euro për organizata, pa i plotësuar kushtet? - NACIONALE

Dallavere me subvencione në Podujevë – si u dhanë mijëra euro për organizata, pa i plotësuar kushtet?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mijëra euro janë dhënë në mënyrë të dyshimtë nga Komuna e Podujevës përgjatë vitit 2021 – 2022. Kjo është bërë e ditur nga raporti që e ka hartuar Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në raportin e publikuar për komunën që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, Auditori ka gjetur disa raste, ku komuna kishte dhënë mijëra euro në formë subvencionesh, për organizata që nuk i kishin plotësuar kushtet.

Zyra e Auditimit ka gjetur tri raste të tilla.

“Një organizatë joqeveritare në fushën e sportit ka përfituar subvencion në vlerë 1 mijë e 250 euro pa paraqitur dëshmi se kanë kryer obligimet tatimore në ATK”

“Një OJQ në fushën e kulturës kishte përfituar subvencion 0 mijë euro për shfaqje teatrale pa paraqitur dëshmi se kanë kryer obligime tatimore në ATK, ku kjo OJQ ka bashkëngjit vërtetimin por i cili ishte jorelevant sepse është i datës 20.08.2020 dhe përfaqësuesi i OJQ-së ishte i punësuar në teatër dhe kishte marrë pagë të rregullt nga teatri. Ku përfaqësuesi i OJQ-së kishte dhënë një deklaratë se do të jetë pjesëmarrës i shfaqjeve por nuk do të paguhet nga OJQ”.

“Një OJQ/Klub i futbollit kishte përfituar 10 mijë euro subvencion por nuk kishte dorëzuar raport financiar"

Auditori ka treguar pse ka ardhur deri te një situatë e tillë. “Ratet e mësipërme kanë ndodhur si pasojë e vlerësimit jot ë duhur sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike dhe kujdesit të pamjafttueshëm të zyrtarëve përgjegjës për menaxhimin e subvencioneve”, thuhet në raport.

“Mosrespektimi i rregullores mund të dëmtoj krediblitetin e proesit dhe mund të rezultojë që komuna të bashkëpunojë me OJQ/Individë të papërshtatshëm. Kurse mungesa e raportimit të përfituesit të subvencioneve për shpenzimet e bëra, mund të rezultojë në keqpërdorim të buxheteve dhe dështim në arritjen e objektivave komunale”, theksohet më tutje.

Kur flitet për përkrahjen e organizatave, kjo ishte bërë pa një plan vjetor të komunës, si pasojë e neglizhencës. Të paktën, kështu ka gjetur Auditori.

“Komuna edhe pse me buxhet të Kosovës ka paraparë që gjatë vitit 2021 të ofrojë mbështetje financiare për projektet dhe programet e organizatave joqeveritare, megjithatë nuk ka përmbushur kërkresnë ligjore për përgatitjen e planit vjetor për mbështetjen financiare të organizatave”, ka gjetur Auditori.

Vonesa në kryerjen e punimeve, e mangësi financiare

Zyra Kombëtare e Auditmit ka gjetur në disa raste se ka pasur vonesa në kryerjen e punimeve, për kontrata të caktuara.

“Në dy raste kemi evidentuar vonesa deri në 133 ditë. Vonesat kanë të bëjnë me projekte si: kontrata Asfdaltimi i rrugëve deri në fshatin Majac në vlerë 1 mijë e 989 euro e nënshkruar me datë 01.10.2021, vonesa deri në 85 ditë. Dhe, kontrata ndërtimi i bulevardit dhe sheshit të qytetit në vlerë 2 milionë e 269 mijë euro, e nënshkruar me datë 26.11.2019, vonesa deri 58 ditë. Duhe theksuar se në asnjërin prej këtyre rasteve, nuk kishte kërkesë/aprovim për zgjatjen e afatit të realizimit të kontratave”, ka gjetur më tutje Auditori.

Shumë qiramarrës të komunës së Podujevës, i kanë borxh komunës, por kjo e fundit nuk ka ndërmarrë ndonjë masë për të nisur procedurat përmbarimore.

“Komuna kishte marrë vendim për shkëputjen e kontratave me qiramarrësit të cilët nuk e kanë kryer obligimin e qirasë ndaj komunës. Në vendim parashihte që nëse qiramarrësit nuk kryejnë pagesën e borxhit në afat prej 10 ditësh nga marrja e vendimit, realizimi i borxhit do të bëhet me procedurë përmabrimore/gjyqësore, mirëpo komuna nuk kishte ndërmarrë masat e parapara sipas vendimit për inkasimin e borxheve të mbetura që nga viti 2017”, ka gjetur Auditori.

Auditori gjithashtu ka gjetur se në disa raste ku parashihej asfaltimi i rrugëve e trotuareve, komuna e Podujevës kishte nisur procedurat e tenderimit duke përgatitur vetëm parallogarinë, pa një projekt ekzistues.

Këtë e kanë arsyetuar me mungesën e stafit.

Lajme të ngjashme