“Dal në rrugë, Asociacioni s’bëhet pa Kurtin”: A e kërcënoi Konjufca Escobarin live në emision?
Glauk Konjufca është dyshi në Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe për nga pozita, por edhe për nga votat që mblodhi në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Fjala e tij është e rëndësishme. E dje në një emision në T7, z. Konjufca ishte jashtëzakonisht i ashpër dhe i drejtpërdrejt për Asociaiconin, temën aktualisht më të diskutuar në Kosovë dhe në dialogun në Bruksel. Në një moment, ai i dërgoi një mesazh Gabriel Escobarit, ndonëse nuk ia përmendi emrin.
Në intervistën te “Dpt te Fidani”, Konjufca e bëri një kapërcim. I ndryshoi fjalët. Përderisa dy ditë më parë, ai e theksoi nevojën për të gjetur në format për Asociacionin, mbrëmë Konjufca e kundërsohti Asociacionin. Madje, Konjufca ishte i gatshëm të largohet edhe nga pushteti që një marrëveshje e tillë të mos zbatohet.
“Nuk është kurgjo kjo. Nëse për shembull e lyp edhe si sakrificë, nëse na kërkohet se ju duhet me u rrëzu dhe Asociacioni nuk bëhet, që këtë sekond po e nënshkruaj. Spo ikim prej përgjegjësisë.” – deklaroi Konjufca.
Kryetari i Kuvendit ishte edhe më i qartë në lidhje me Asociacionin, duke theksuar se zbatimi i tij duhet të vjen pas njohes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, ky qëndrim nuk është autentik i z. Konjufcës, por është nxjerrë nga 6 kushtet që Kurti i vendosi javën e kaluar.
“Asociacioni nuk mund të bëhet para njohjes. Qeky Asociacion që nuk e dimë çfarë është, sepse askush nuk pe din. Meqenëse nuk pe dimë po ja lëmë emrin X. Qaj X-i është pas njohjes. E kam problem karakterin etnik të tij....Nuk ka sanksione më të dëmshme se Asociacioni.” – deklaroi z. Konjufca.
Por në një moment, z. Konjufca ishte i ashpër dhe dukej se po i dërgonte mesazh Gabriel Escobarit, të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor. Në një atmosferë disi të tensionuar, z. Konjufca deklaroi se nuk ka asnjë fuqi që e krijon Asociacionin nëse atë nuk e nënshkruajnë kryeministri Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
“Nëse presidentja e kryeministri nuk e nënshkruajnë Asociacionin, nuk ka fuqi që e krijon...Jo fuqi kështu forcë. Por asnjë fuqi demokratike e politike.” - shtoi Konjufca.
“Unë nëse nuk jam në këtë karrige, jam në rrugë për me ndalë këtë punë... Unë po të kallxoj, që për me mbrojtë interesin e Kosovës, të shtetit tonë, qysh unë e kuptoj, e kam mëndu që, Serbia masi e ka humbur Kosovën me tankse, me ushtri e polici, veç një qëllim e ka: me na lënë një shtet jofunksionale me autonomi territoriale që e kontrollon Kosovën." - vazhdoi Konjufca.
Pra kryekuvendari në këtë emision duket se po i referohej një deklarate të Escobarit, i cili përmendi “partnerët alternativë” për formimin e Asociacionit.
“Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur është përkushtimi ynë. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm.” – shprehej z. Escobar.
Tutje, Konjufca shtoi se Serbia kërkon autonomi territoriale në Kosovë.
“Pozicioni i Serbisë është autonomi territoriale në Kosovë. Ne kurrë nuk do t’ia japim atë, kurrë. Nuk është e mundshme kjo, a kupton? Është pak banale me thënë, në kuptimin absolut universal, është e pamundshme të gjendet një formë asociacioni. Ne kemi bre asociacion të komunave në Kosovë.” - vlerësoi Konjufca.
"Mbledhja joformale"
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thelluar përpjekjet për një rrugëdalje rreth zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas takimit të 31 janarit, ku morën pjesë pushteti e opozita, por jo Albin Kurti, kryeministri i paftuar, Ambasada e ShBA-së do të organizojë një takim edhe sot. Në fakt, është një “mbledhje joformale”. Por çka dihet deri tash për “mbledhjen joformale”?
Zyrtarisht, “mbledhja joformale” vjen pas takimit të 31 janarit, të cilin Ambasada amerikane vazhdon ta quaj si diskutim produktiv. Kësaj radhe, takimi do të mbahet në rezidencën e ambasadorit Jeff Hovenier, e jo në objektin e Ambasadës. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ambasada e ShBA-së e konfirmoi takimin, duke shtuar se nuk ka asnjë program formal dhe as temë të diskutimit.
“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje joformale në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka program formal e as temë të diskutimit.” – deklaroi ky zëdhënës për Nacionalen.


