Daçiq pas takimit me Borrellin dhe Lajçakun: Kuptuan se cilat janë linjat e kuqe të Beogradit
Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, është deklaruar për media pas takimeve me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Nga Brukseli, Daçiq ka thënë se Beogradi është i vendosur të bëjë gjithçka që mundet, duke marrë parasysh interesat kombëtare dhe shtetërore, për të vazhduar rrugën evropiane dhe harmonizimin me politikën e Bashkimit Evropian.
Daçiq ka raportuar se Borrell dhe Lajçak kanë theksuar rolin shumë konstruktiv dhe të përgjegjshëm të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur bëhet fjalë për bisedimet e fundit të zhvilluara në Beograd, për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Borrell dhe Lajçak theksuan qasjen e përgjegjshme të Serbisë, si dhe dëshirën e tyre që në periudhën e ardhshme të mos merren me zgjidhjen e konflikteve javore që ndodhin në Kosovë, për të cilat sipas mendimit tonë është vetëm faji i Albin Kurtit, por të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje që do të ofronte garanci më të forta dhe do të mundësonte paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Daçiq nga Brukseli, raporton Kosovo online.
