Daçiq: Pa Rusinë, vështirë se mund ta ruajmë Kosovën - NACIONALE

Daçiq: Pa Rusinë, vështirë se mund ta ruajmë Kosovën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Interesi primar i Serbisë është ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, dhe pa Rusinë, Serbia vështirë se mund ta ruajë pozicionin e saj në OKB, thotë Daçiq.

Kryetari i SPS-së, Ivica Daçiq, ka deklaruar për Tanjug se nëse Moska është me Beogradin, Rusia mund të vërë veton dhe e ashtuquajtura Kosovë nuk do të mund të anëtarësohet kurrë në OKB.

"Ne duhet të shmangim të qenit irracional dhe emocional karshi situatës aktuale. Nëse jemi të gatshëm të heqim dorë nga Kosova, atëherë mund të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Por nëse nuk jemi gati, atëherë nuk mundemi. Si do ta mbrojmë Kosovën pa aleat? Nuk e di se kemi ndonjë aleat të ri. Sanksionet kundër Rusisë nuk do të dëmtojnë Rusinë, por Serbinë. Rusia i mbijetoi "sanksioneve të Malit të Zi, do t'i mbijetonte edhe sanksioneve serbe", tha Daçiç.

Daçiq i është referuar edhe faktit se Prishtina nuk e ka lejuar Beogradin të organizojë zgjedhje në Kosovë.

“Nga BE-ja thonë se ndiejnë keqardhje për lajmin nga Prishtina se zgjedhjet në Kosovë nuk do të mund të organizohen. Nëse Perëndimi nuk mund t'i bëjë asgjë Kurtit, atëherë si mundet Serbia? Do të ishte një precedent i madh që neve të na vendosin sanksione sepse ne nuk duam të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Nuk besoj se është në interesin e Perëndimit që të humbasë Serbinë në rrugën evropiane”, theksoi ai.

Daçiq tha se zgjedhjet në Kosovë mund të organizoheshin, por kjo do t'i jepte shkas policisë së Prishtinës për të ndërmarrë aksione, ndërsa Beogradi do të akuzohej.

“Kjo nuk është fitore e Prishtinës. Të kuptohemi, do të mund t'i organizonim zgjedhjet pa problem, por do ta përdornim si alibi që policia në veri të Kosovës të ndërhynte, do të kishte incidente dhe dikush do të mund të akuzonte Beogradin për këtë. Interesi jonë parësor është ruajtja e paqes. Mirëpo ky është një shembull i qartë se Kurti absolutisht nuk respekton as Marrëveshjen e Brukselit dhe as komunitetin ndërkombëtar. Megjithatë, ky është një tregues se komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron të vihet në një situatë të tillë, që ta detyrojë Prishtinën të respektojë marrëveshjen e Brukselit”, shtoi Daçiq.

Daçiq shtoi se Serbia është nën presion të madh, sepse ka nga ata që do të thonë se Beogradi duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë ose do të ndalet rruga e saj drejt BE-së.

"Nëse është ashtu, atëherë pse dikush nuk i thotë Prishtinës - ose do të lejoni votimin, do të zbatoni marrëveshjen e Brukselit, ose ky është fundi i pritjeve tuaja evropiane. Presioni është më i madh mbi ne. Pse? Sepse Prishtina është fëmija i tyre." ka theksuar Daçiq.

Duke folur për situatën aktuale në Ukrainë dhe idenë e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se Beogradi mund të jetë vend për negociata mes Moskës dhe Kievit, Daçiq tha se kjo nuk do të ishte hera e parë që Beogradi të jetë vendtakim për dialog.

“Serbia është e gatshme për një takim të tillë, do të ishte një nder për ne. Kjo tregon se Serbia është një vend që ndjek politikë të jashtme të pavarur dhe sovrane, kujdeset për interesin e vendit tonë dhe pozitën e vendit tonë në botë. ”, tha ai.

Daçiq thotë se nuk e di se cilat janë qëllimet luftarake të të dyja palëve.

"Unë e di se edhe më herët, të gjitha palët e kanë shkelur armëpushimin. Synimet e Kievit ishin të mbante të gjithë atë pjesë, rajonin e Donbasit, ndërsa kundër kësaj kanë qenë pjestarët e milicive të Donetsk dhe Luhansk. Nuk e di se cilat janë qëllimet luftarake të Moskës, mirëpo unë jam skeptik ndaj asaj se mund të jetë pushtimi i Kievit. Besoj se është më shumë ndihmë ndaj DNR-së dhe LNR-së, për të ruajtur pavarësinë që ata vetë kanë shpallur," shtoi ai.

Daçiq e krahasoi situatën aktuale me bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999. "Perëndimi tani duhet ta mohojë atë që ka mbështetur në Kosovë, duke ia mohuar pavarësinë Donetskut dhe Luganskut. Ne jemi goditur nga standarde të dyfishta. Ata duan të thonë se ishte në rregull që na bombarduan, viktimat civile ishin dëm kolateral për ta." , tha Daçiq.

Lajme të ngjashme