Daçiq: Asociacioni është parakusht për Serbinë që të vazhdojë dialogu
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, është shprehur se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është “thelbi” i marrëveshjes së Brukselit dhe që Serbia do të insistonte në formimin e saj të menjëhershëm si parakusht për dialog.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar vazhdimisht si kundërpërgjigje ndaj palës serbe se Asociacioni ishte thjesht njëra ndër 33 marrëveshjes, dhe po ashtu se ishte mes marrëveshjesh tjera të Brukselit që nuk ishte zbatuar.
Por, pala serbe vazhdon të insistojë në rëndësinë e saj.
“Ajo që është e dukshme është se pavarësisht se a ka dallime mes shteteve individuale apo organizatave ndërkombëtare për dialogun, tani ata janë shfaqur si një grup i bashkuar prej pesë vetash (emisarët që ishin të premten në Beograd) dhe kanë biseduar me presidentin Vuçiq,” – u shpreh z. Daçiq në TV Happy, përcjell Kosovo-Online.
Shefi i diplomacisë serbe tha që sot do të diskutohej se çka do të ndodhte nëse Serbia nuk pajtohej me propozimin e perëndimit dhe se presidenti Vuçiq e kishte mbështetjen e lidershipit shtetëror për këtë çështje.
“Nuk kemi diskutuar asnjëherë sa i përket refuzimit. Presidenti tha se i ka disa rezerva. Nuk dua të hyj në këtë çështje, presidenti do t’u drejtohet sot qytetarëve të Serbisë. Neve na takon të themi se me çfarë nuk pajtohemi.” – vazhdoi tutje Daçiqi.
Daçiq përsëri bëri thirrje për unitet duke akuzuar sërish partitë opozitare, kësaj here se po nxisnin “daullet e luftës”.
