'Drama në Serbi' për Kosovën: Vuçiq "i gatshëm të largohet", vartësit në mbështetje, përmendet referendumi - NACIONALE

'Drama në Serbi' për Kosovën: Vuçiq "i gatshëm të largohet", vartësit në mbështetje, përmendet referendumi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Serbia duket të jetë nën presion të shtuar ndërkombëtar për çështjen e Kosovës, dhe lajmet dramatike prej atje nuk vonojnë si rëndom. Një largim demonstrativ nga selia e partisë nga Vuçiqi, një adresim para popullit në ora 20:00 dhe mbështetje nga vartësit e tij. Çka po ndodh në vendin fqinj?

Takimi që ndodhi të premten në Beograd mes Vuçiqit dhe pesë emisarëve perëndimorë (Lajçakut, Escobarin, Ploetner, Bonne dhe Talo) duket se e ka rritur në përmasa të mëdha presionin ndaj Serbisë.

Presidenti serb Vuçiq pas takimit ka thënë se “ishte më i vështiri ndonjëherë”. Por, raportimet e fundit që paraprijnë një adresim të rëndësishëm para popullit serb në orën 20:00 janë... interesante.

I gatshëm për pension

Vuçiq kishte takuar bashkëpartiakët e tij në Partinë Përparimtare Serbe dhe të cilëve iu kishte thënë se ishte i gatshëm të dorëhiqej.

Mediumi i afërt me regjimin e tij, Pink, shkroi se “kishte informuar kryesinë e partisë për presionet perëndimore ndaj Serbisë në lidhje me Kosovën” dhe se pak më vonë ishte larguar nga selia e partisë.

Ai iu kishte thënë bashkëpartiakëve se ishte i gatshëm të largohej nëse dikush prej tyre mund të bënte punë më të mirë.

Ky fjalim sipas Pink-ut ishte “emocional.

Vartësit

Vuçiq sot ishte në takim në Qeverinë e Serbisë i ftuar nga kryeministrja Ana Bërnabiq. Ajo gjatë ditës së djeshme i doli në mbrojtje presidentit të Serbisë në lidhje me presionet që po i vinin për Kosovën

“Nuk do të fshehim asgjë. Politika e presidentit Vuçiq është të flasim hapur plotësisht dhe në mënyrë transparente me njerëzit tanë dhe të themi se çfarë është situata dhe çfarë është në tavolinë,”u shpreh Bërnabiq duke lënë të hapur edhe mundësinë e një referendumi për çështjen e Kosovës.

Edhe ish-politikani Nebojsha Çoviq e kishte përmendur mundësinë e referendumit pikërisht dje.

Në mbrojtje Vuçiqit i doli edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeqviq.

“Sot nuk është e lehtë të luftosh për Serbinë, të luftosh për përparimin e saj.. Aleksandër Vuçiq pikërisht pse po punon për të mirën e vendit të tij, është vazhdimisht në shënjestër të tradhtarëve, mercenarëve dhe të gjithë atyre që i vënë interesat e tyre para atyre të shtetit. Presidenti i Serbisë e ka mbështetjen time të parezervë ndaj presioneve dhe sulmeve të vazhdueshme.” – u shpreh Vuçeviq në Instagram.

Vuçiq do të dalë para popullit serb sot në orën 20:00 për të folur në lidhje me atë që ishte diskutuar me pesë emisarët perëndimorë.

Sipas shumë analistëve, presioni tashmë është i rritur por edhe i fokusuar në planin franko-gjerman.

Kryeministri Kurti ka deklaruar më herët që Serbia e ka refuzuar këtë plan, duke e maskuar refuzimin përmes tensioneve në veri të vendit.

Por, a do të ketë tensione të reja, pranim të planit apo dorëheqje të Vuçiqit? Mbetet të shihet se çka do të na sjellin ditës, nëse jo edhe orët, e ardhshme.

Lajme të ngjashme