Bërnabiq për Kosovën: Situata s'ka qenë kurrë më e vështirë për Serbinë, do ta pyesim popullin - NACIONALE

Bërnabiq për Kosovën: Situata s'ka qenë kurrë më e vështirë për Serbinë, do ta pyesim popullin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është shprehur sot se Serbinë e presin ditë të vështira përpara duke shtuar se asgjë nuk do t’i fshihet popullit dhe se në fund ata do të vendosin për gjithçka.

“Vuçiqi tha disa herë dhe ne e dinim që kështu do të ishte dhe nuk kemi fshehur asgjë nga qytetarët tanë. Më e rëndësishmja është të themi se nuk do të fshehim asgjë. Politika e presidentit Vuçiq është të flasim hapur plotësisht dhe në mënyrë transparente me njerëzit tanë dhe të themi se çfarë është situata dhe çfarë është në tavolinë,” – tha znj. Bërnabiq pas takimit të pesëshes së diplomatëve perëndimorë në Beograd, që besohet të kenë shtuar presionin ndaj palës serbe në lidhje me propozimin franko-gjerman.

“Asgjë nuk është fshehur, dhe asgjë nuk do të vendoset pa qytetarët tanë,” – tha znj. Bërnabiq.

Më herët, edhe ish-politikani Nebojsha Çoviq e kishte përmendur mundësinë e një referendumi në lidhje me Kosovën.

Bërnabiq e akuzoi edhe qeverinë e mëparshme serbe për kompromise të bëra ndaj Kosovës.

“Kjo nuk ekzistën më në Serbi, që nga viti 2013... Gjithçka bëhet në mënyrë transparente dhe njerëzit janë gjithnjë të informuar për këtë gjë,” – pretendoi ajo.

“Ne ndjekim një poliitkë që ka një qëllim të qartë, që është mbrojtja jonë, interesat shtetërore dhe kombëtare,” – vazhdoi fjalën e saj kryeministrja serbe.

Ajo tha se kohët nuk kishin qenë më të vështira për Serbinë që nga Lufta e II Botërore.

Bërnabiq kritikoi edhe disa media dhe opozitën se po përpiqeshin të fitonin pikë politike (sic) në kurriz të vendit të vet, pas kritikave që i kishin bërë Vuçiqit.

Kryeministrja u krenua edhe që Serbia nuk kishte vënë sanksione ndaj Rusisë, përkundër që kjo ishte paralajmëruar nga opozita para zgjedhjeve.

Ajo akuzoi ish-qeveritë e mëparshme se kishin mundësuar edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke mos bërë asgjë për ta ndaluar.

Lajme të ngjashme