Çudi: Nënkryetares së Bordit të RTK-së i vjen "përkrahje" me pëlqime nga Vietnami, Kongoja e Madagaskari
Nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti, shkroi të dielën një status të gjatë në “Facebook”, ku tashmë ka marrë më shumë se 400 pëlqime.
Në këtë status, përpos pëlqimeve nga disa banorë të Kosovës, vërehet diçka e pazakontë: pëlqimet nga disa shtete të largëta aziatike e afrikane, përfshirë Vietnamin, Filipinet, Korenë, Bangladeshin, Kongon dhe Madagaskarin.
Nuk dihet se a janë të vërteta apo të rreme profilet e personave nga kontinentet e tjera dhe nëse ata e njohin gjuhën shqipe apo e kanë përkthyer statusin e Mehmetit. Apo thjesht e tëra është inxhiniering i pëlqimeve në mënyrë të rreme.
Në mesin e personave që e kanë pëlqyer statusin e Mehmetit janë Duong Da Vu nga Madagaskari, shtet ishullor në juglindje të Afrikës, Pham Thi Phuong, nga Vietnami dhe Duong Chien Quoc nga Kongoja.