Cop15: Arrihet marrëveshje historike që të ndalet humbja e biodiversitetit deri më 2030
Marrëveshja mbi qëllimin “30 deri më 30” u çua përpara nga presidenti kinez, duke shpërfillur kundërshtimet e shteteve afrikane.
Artikulli është përkthyer nga The Guardian.
Qeveritë duket se kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje që arrihet një herë në dekadë për të ndaluar shkatërrimin e ekosistemeve në Tokë, por marrëveshja duket se është shtyrë përpara nga presidenti i Kinës, që kishte shpërfillur kundërshtimet nga disa shtete afrikane.
Pas më shumë se katër vitesh negociata, shtyrjeve të vazhdueshme dhe bisedimeve që zgjatën gjithë natën në Montreal, gati 200 shtete – por pa ShBA-në apo Vatikanin – nënshkruan marrëveshje për biodiversitetin në Cop15, që u organizua nga Kanadaja dhe Kina.
Kjo marrëveshje e kishte për qëllim që të vendoste njerëzimin në rrugën drejt harmonisë me natyrën deri në mes të këtij shekulli.
Në një plenare të jashtëzakonshme që nisi të dielen në mbrëmje dhe zgjati për më shumë se shtatë orë, shtetet përlesheshin mbi marrëveshjen finale. Përfundimisht, marrëveshja finale u arrit në orën 3.30 të mesnatës.
Republika Demorkatike e Kongos u duk se po bllokonte marrëveshjen finale të prezantuar nga Kina por më pas ministri kinez i ambientit dhe presidenti i Cop15 dhanë shenja se marrëveshja kishte përfunduar.
Negociatorët nga Kameruni, Uganda dhe Kongoja shprehën mosbesimin e tyre që marrëveshja kishte kaluar. Kongoja tha që formalisht do të kundështonte marrëveshjen, por një avokat i OKB-së tha se nuk e kishte bërë një gjë të tillë.
Negociatori nga Kameruni e quajti “mashtrim”, ndërsa Uganda tha që ishte bërë një “puç” kundër Cop15.
Marrëveshja ishte negociuar përgjatë dy javëve dhe përfshin targete si mbrojtja e 30 për qind të planetit deri në fund të dekadës, reformën 500 milionë dollarëshe për subvencionet mbi dëmet ambientale e të tjera.
Qeveritë u pajtuan edhe që të ndërmerrnin aksione urgjente për të ndaluar zhdukjet e specieve të shkaktuara nga njeriu.
Kjo marrëveshje vjen pas paralajmërimeve shkencore që njerëzit po shkaktojnë nisjen e zhdukjes së gjashtë massive në Tokë, më të madhën prej kohës së dinosaurëve.
