Çmimet e vajit 'bëjnë' me vaj Jahajt e Jusufët - NACIONALE

Çmimet e vajit 'bëjnë' me vaj Jahajt e Jusufët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gëzime Jaha është e shqetësuar se rritja e çmimit të vajit të lulediellit mund ta shtyjë t’i ngrisë çmimet në biznesin e saj. Nga paslufta, ajo së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj, udhëheq një prej ‘fast-food’-ave më të njohur në Prishtinë, Bell Ami. Vaji i lulediellit përdoret gati në secilin prej gatimeve të tyre dhe që menynë e kanë të bollshme.

“Ka me ndiku rritja e çmimit të vajit [në rritjen e kostos], qysh jo,” - përgjigjet Gëzimja për Nacionale.

Buzagaz e sa për të ngacmuar, ajo thotë se “ndoshta kena me ju lanë pa majonez”. E ka fjalën për majonezin e shtëpisë, që mbetet shumë i kërkuar nga myshterinjtë. Vajin e lulediellit e përdorin në sasi të konsiderueshme sidomos në recetën e këtij majonezi. Pronarja e fast-food-it beson fuqishëm se “fajin e kemi vetë, po bëjmë panik dhe ata [bizneset] po e rrisin çmimin.”

“Pse mos ta shesin kur munden me manipulu,” - thotë edhe Abdurrahman Jusufi, që ka një qebaptore ngjitur me biznesin e Jahajve. 58-vjeçari që punon së bashku më vëllain e tij, thotë se që 10 vjet punon në qebaptore dhe kësi çmimi të vajit ushqimor nuk ka parë asnjëherë.

“Që 10 vjet punoj [në qebaptore] e kësi çmime s’ka pasë [të vajit],” - thotë 58 vjeçari.

“Na në luftë edhe 50 marka e kemi ble miellin, po tash po get jemi në luftë ekonomike,”- thotë ai, duke mos besuar se dikush mund të intervenojë për të ndalur manipulimet me çmimet e furnizimit, duke përmendur se shtrenjtimi i miellit ka qenë edhe më i rëndë për biznesin e tij.

Sidoqoftë, z. Jusufi thotë se njëherë për njëherë s’do t’i prekin çmimet e produkteve të tyre, pasi kanë frikë se kjo edhe më shumë do ta ulë punën e tyre, meqë ka javë që myshterinjtë i ka më të paktë.

Deri të hënën do presin edhe Jahajt. Ata shpenzojnë rreth 15 litra vaj në ditë dhe rritja e tanishme do të jetë shtesë e konsiderueshme e kostos së përgatitjes së ushqimeve.

Valoni, djali i Gëzimes, thotë se vazhdimisht furnizimet i kanë bërë për 2 apo 3 ditë, dhe asnjëherë më shumë, pasi edhe mund të prishen produktet ushqimore. As me vaj luledielli nuk janë furnizuar më shumë se kaq. Vetëm për deri të hënën i kanë sasitë e nevojshme të vajit ushqimor, e prej të hënës do t’ju duhet ta blejnë më shtrenjtë.

“Ta kqyrim çka po bojmë. S’besoj se ata [kompanitë e vajit] furnizohen çdo ditë. Besoj që janë të furnizuar, por vetëm po e shfrytëzojnë situatën për me fitu ma shumë,” - thotë ai plot mllef.

Çmimi i litrës për vaj ushqimor këto javët e fundit është rritur në 3 euro e 49 centë për litër. Disa muaj më parë, çmimi ishte vetëm 1.60 centë.

“Pa logjikë ekonomike” - i quan këto rritje të çmimeve Mustafë Kadriaj, profesor universitar i ekonomisë. Për të, kjo rritje ka ardhur nga paniku që është përhapur dhe të cilën po e shfrytëzojnë bizneset deri në maksimum.

Me ngritjen e çmimeve është i shqetësuar edhe Ermal Lubishtani, profesor universitar i ekonomisë. Edhe ai beson se biznesmenët spekulativ do të bëjnë çmos të shfrytëzojnë panikun e krijuar mes qytetarëve. Sipas tij, konsumatori i zakonshëm do ta pësojë, si zakonisht

“Ndikimi i hapjes se shpejtë pas-pandemike dhe fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë ka ndikuar në rritjen e pasigurisë së tregjeve globale”- argumenton Lubishtani.

Ndërsa për rritjen e çmimit të vajit ushqimor, sipas tij, ka ndikuar edhe rritja e çmimit të naftës, pasi nafta mbetet njëri prej produkteve më të rëndësishme në zinxhirin e furnizimit. Por, sipas tij, një ndër arsyet që ka çuar në ngritjen enorme të çmimeve është edhe Qeveria e Kosovës, pasi edhe i ka mekanizmat me të cilat do të mund ta mbronte konsumatorin në Kosovë.

Mosreagimi i duhur i qeverisë dhe institucioneve të tjera të rëndësishme për mbarëvajtjen e tregut – ta zëmë Autoriteti Kosovar i Konkurencës apo inspektoratët e ndryshme – kanë ndikuar që të rritet paparashikueshmëria e çmimeve në Kosovë,” - thotë Lubishtani, duke vazhduar se kjo ka çuar edhe në rrezikun se mund të mos gjenden shumë produkte bazike në momentin që mund të ketë nevojë për to.

"Aktualisht, kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi. Nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje. Është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus atje, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare, i cili po i afrohet nivelit prej 3000 dollarë për një ton të vajit të papërpunuar", thoshte sot kryeministri Kurti.

Autoriteti Kosovar i Konkurencës tash e gati nëntë muaj është jofunksional për shkak të mungesës së emërimit të bordit. Dyshimet për fiksime të çmimeve, këto ditë, i ka ngritur edhe kryeministri Albin Kurti. Gjatë vizitës në një fabrikë të prodhimit të vajit të lulediellit, kryeministri nënvizonte se si mund të jetë e mundur që gati nëpër të gjitha marketet në Kosovë, çmimi i litrës së vajit të lulediellit të jetë 3.49 euro.

“Çmimi prej 3 euro e 49 centë është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore, e jo nga gjendja reale në vendin tonë”, është shprehur ai.

Për ironi, edhe kompanisë që i bëri vizitë Kurti sot i shitej vaji po ashtu me çmim mbi 3 euro.

Sidoqoftë, Mustafë Kadriaj thekson se kjo nuk e shfajëson qeverinë, pasi ajo ka mekanizmat për të investiguar bizneset manipulative dhe për t’i gjobitur ato, dhe kështu do të kishim normalizim të çmimeve. Mirëpo, sipas tij, kryeministri s’po merret me problemin aktual, por po flet për “ndarjen e subvencioneve për prodhuesit vendorë nga qeveria e tij, por që ato kultura bujqësore do të mund t’i kemi të gatshme vetëm pas 5 muajve – ndërsa qytetari po përballet sot me ngritjen e çmimeve,” - thotë Kadriaj.

Ai, po ashtu, nuk i beson deklaratat e kryeministrit Kurti për rezervat, pasi sheh gabime logjike në artikulimin e kryeminstrit:

“Nëse ka rezerva të miellit, atëherë pse duhet t’i bëhet thirrje qytetarëve për ta kthyer miellin?” është pyetja e drejtuar kah kryeministri.

Ermal Lubishtani, në anën tjetër, thekson se qeveria s’duhet të harrojë se roli i saj është mirëqenia e qytetarëve dhe kur kemi kriza të tilla në treg, atëherë qeveria duhet të ndërhyjë në treg. “Ndërhyrja duhet të jetë në kohë, pra të jetë qeveri proaktive dhe jo reaktive, dhe se masat duhet të jenë mirë të analizueshme e lehtë të implementueshme,” - shton Lubishtani.

“Edhe pse vonë, qeveria duhet te paktën të: shfuqizojë përkohësisht akcizën në naftë dhe mundësisht të ulë TVSh-në për këtë produkt; të ofrojë një listë të masave fiskale afatmesme (3-6 muaj) dhe që kanë për qëllim pamundësimin e çmimeve të produkteve bazë; si dhe, të intesifikojë punën e inspektorëve me qëllim ndalimin e spekulimeve të çmimeve’’, thotë Lubishtani.

Në anën tjetër, avokati Armend Shkoza beson se duhet të shkohet edhe me hapa juridik.

“Shpalleni gjendjen e jashtëzakonshme!” - bën thirrje ai, pasi beson se situata është emergjente.

Sipas tij, duhet të nxirret ligj i veçantë ashtu siç e kërkon Neni 131 paragrafi 2 i Kushtetutës. Më tej, për avokatin Shkoza, Administrata Tatimore e Kosovës, Inspektorati i Tregut, Autoriteti i Konkurencës dhe inspektoratet e tjera, përfshirë këtu edhe Doganat, do të ngarkoheshin me autorizime shtesë çka i kontribuonte gjendjes për të mirë.

“Asnjë pengesë nuk e keni as me Nenin 56 paragrafin 2 të Kushtetutës me të cilin kufizohet shmangia e të drejtave të garantuara me Kushtetutë,” - thotë Shkoza për Nacionale, duke vazhduar të këshillojë qeverinë që të veprojë pasi duhet kontrollë ndaj ekonomisë, sidomos ndaj ‘‘ekonomisë së zezë’’.

Cilatdo që do të jenë masat, i riu Valon Jaha ka kohë që ka vërejtur se ka më pak myshterinj që ushqehen te biznesi i tij familjar. Brengë të madhe tjetër ka edhe se nëse vazhdojnë këto ritme të ngritjes së çmimeve “frikësohet se mund të preken edhe vendet e punës së 15 punëtorëve të mi”.

Lajme të ngjashme