Çka thanë tre ish-ministrat në Komisionin Hetimor për energji dhe cilat ishin gjetjet e pushtetit?
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006 - 2022, në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka ftuar për intervistim tre ish-ministra. Njëri nga ta u çudit me ftesën teksa dy të tjerët u përgjigjen në pyetjet e deputetëve të këtij komisioni.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, dhe ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, u ballafaquan të hënën me pyetjet e deputetëve për energjinë elektrike gjatëve viteve kur ishin në krye të ministrive përkatëse.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, me të filluar intervistimin, u shpreh i habitur me ftesën e komisionit.
Ai i pyeti anëtarët e komisonit se pse është ftuar për intervistim, duke thënë se në këtë periudhë ka udhëhequr një dikaster tjetër, atë të Tregtisë dhe Industrisë.
“Në nivel qeveritar, Ministria e Financave dhe e Zhvillimit Ekonomik është marrë me këtë çështje”, ka thënë Dugolli.
Megjithatë, ai foli pak për situatën me rrymë në atë periudhë, duke thënë se kontributi i tij ka qenë për strategjinë e energjisë dhe se veprimet e tij si ministër kanë qenë të kufizuara.
“Te sektori i energjisë, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur kompetencë në sektorin energjetik dhe të thëngjillit”, shtoi ai.

Ndërsa ish-ministri Et’hem Çeku ka thënë se nuk kanë pasur kompetenca për shitjen apo blerjen e rrymës.
“Realisht, në këtë periudhë ishim në bartjen e kompetencave dhe nuk kemi pasur shumë kompetenca në këtë kohë. Te investimet kapitale e kemi mbështetur KEK-un për investime kapitale, që e kemi mbështetur sektorin energjetik. Ministria që e kam udhëhequr, jemi fokusuar në strategjinë për projektet energjetike dhe në legjislacionin si ministri”, ka thënë ai.
Çeku u pyet nga deputetët e pushtetit për rënien e blloqeve të KEK-ut. Ai tha se rënia e blloqeve po ndodh edhe sot.
“Sa herë kam shkuar e sa herë jam kthyer, ka rënë blloku, edhe sot po ndodh kjo”, ka thënë ai.

Edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri, është përgjigjur për situatën energjetike gjatë periudhës 2005 - 2007.
Shatri ka thënë se të gjithë procesin e menaxhimit të ndërmarrjeve publike e ka kryer UNMIK-u.
“UNMIK-u ka pasur influencë të madhe, në atë kohë Qeveria nuk është njoftuar as për shitjet, as për blerjet. S’na ka pyet kush. S’kemi qenë kompetentë. Për veprimet s’jemi njoftuar asnjëherë. MF-ja nuk ka qenë faktor dhe nuk ka ndarë mjete për investime dhe as nuk kemi qenë mbikëqyrës me KEK-un”, ka thënë ai.

Gjetjet e pushtetit
Në anë tjetër, deputeti i këtij Komisioni, Armend Muja, bëri dy shkrime në Facebook si një përmbledhje e asaj që ka dalë nga mbledhja.
Muja ka shkruar se, sipas tij, KEDS-i është shitur për vetëm 11% të vlerës normale.
“1) Kompania American Appraisal Ishte angazhuar për të vlerësuar asetet e KEK. Më 12 dhjetor 2005 kompania ka vlerësuar se asetet e KEDS kishin vlerën 239.1 milionë euro.
(2) Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për privatizim të KEDS në shtator 2008. Vendimi ishte përkrahur nga PDK, AKR, LDK dhe AAK.
(3) KEDS, rrjeti i shpërndarjes së energjisë ishte shitur për 26.3 milionë euro tek kompania Limak&Çalik në maj 2012. Vlera e transaksionit ishte sa 11% e vlerës së aseteve.”, ka shkruar ai.
Komisioni hetimor për rrymën, derisa ishte formuar, e pati bllokuar punën e Kuvendit.
Partitë opozitare kishin kërkuar që të ketë një komison hetimor për rrymën pas raportimeve se ambasadori Martin Berishaj ishte përfshirë në një skandal financiar dhe kishte blerë rrymë nga GEN-i slloven.
Ky komison u themelua për hetimin e situatës me energjinë elektrike gjatë krizës, në muajt e parë të vitit 2022.
Në anën tjetër, krahas këtij komisioni, deputetët e pushtetit kërkuan dhe formuan, në pajtim me opozitën, edhe një komison tjetër, që do ta hetonte për periudhën nga viti 2006 deri më 2022 punën në sektorin e energjisë.
Aktualisht, sektori i energjisë po hetohet nga dy komisione e dhjetëra deputetë, teksa reduktimet e energjisë elektrike janë në prag dhe një "dimër i vështirë" po na pret.


