Çka, qysh, pse? Prej 2015-ës, 14 kompani të naftës u dënuan për kurdisje çmimesh - NACIONALE

Çka, qysh, pse? Prej 2015-ës, 14 kompani të naftës u dënuan për kurdisje çmimesh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Prej 2015-ës janë dënuar 14 kompani të naftës për kurdisje çmimesh

Autoriteti Kosovar i Konkurencës (AKK) në pyetjet e Nacionale ka thënë se 14 ndërrmarrje të naftës janë gjobitur përgjatë periudhës kohore 2015-2022 nën akuzën për fiksim të çmimeve të derivateve të naftës.

“AKK ka shqiptuar masën e sanksionit administrativ në vlere prej € 4,040,450.78”, - thuhet në përgjigjen e tyre.

Meqenëse barra e provës bie mbi Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Autoriteti e ka provuar se ka pasur Marrëveshje të bashkërenduar, rrjedhimisht marrëveshje të heshtur ndërmjet ndërmarrjeve në procedurë nëpërmjet analizave ekonomike dhe statistikore.

Nga janari deri në tetor, AKK-ja ka hetuar disa kompani dhe ka konstatuar se ato kishin fituar rreth 9 cent për litër, ndërsa mesatarja e fitimit bruto/litër për periudhën kohore 18 nëntor-19 nëntor ishte 14 cent/litër.

“AKK ka bërë krahasime ndërmjet muajit SHKURT dhe DHJETOR, muaji SHKURT/18, çmimi blerës/l ishte 0.93 cent/l ndërsa fitimi bruto/l ishte 0.09 cent/l dhe çmimi shitës/l ishte 1.02 cent/l gjë që ishte reflektuese me çmimin e berëzës botërore, ndërsa për muajin DHJETOR ku çmimi i berëzës kishte rënie nga muaji paraprak dhe po ashtu çmimi importues/l ishte i njëjte me atë të muajit SHKURT/18, 0.93cent/l, fitimi bruto/l për muajin DHJETOR ishte 0.17 cent/l, dhe Çmimi shitës/l ishte 1.10 cent/l gjë që ndërmarrjet nuk kanë reflektuar me ulje të fitimit bruto/l karshi uljes së çmimit të berëzës dhe çmimit importues”, - thuhet në përgjigjet e Autoritetit Kosovar të Konkurencës.

“Forma e caktimit të çmimit apo marzha e fitimit duke aplikuar praktikë të bashkërenduar nga ndërmarrjet të cilat operojnë në tregun relevant është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurencës pasi ‘‘caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”, - thuhet nga AKK.

Duke u nisur nga kjo bazë ligjore dhe nga faktet e konstatuara, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, ka vlerësuar se ndërmarrjet në mënyrë të bashkërenduar, kanë caktuar çmimin shitës me pakicë dhe marzhën e fitimit bruto/l për muajin nëntor dhe dhjetor.

Por çka cilësohet marrëveshje sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurencës?

Autoriteti Kosovar i Konkurencës ka thënë se për të përcaktuar nëse kompanitë kanë fiksuar çmimet bazohen në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurencës.

“Marrëveshje është: çdo formë, të lidhura ndërmjet ndërmarrjeve, me ose pa forcë detyruese, vendimet ose rekomandimet e grupimeve të ndërmarrjeve, si dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve, të cilat veprojnë në të njëjtin nivel ose në nivele të ndryshme të tregut”, - thuhet nga AKK-ja.

Ndërsa praktika e bashkërenduar, AKK thotë, se është një aktivitet joformal në mes dy ose më shumë ndërrmarrjeve dhe që nuk bazohet në një vendim ose marrëveshje formale.

Kolizioni i heshtur, nuk do të thotë detyrimisht involvimi në ndonjë marrëveshje të heshtur apo involvimi i palëve për t’u marrë vesh apo komunikuar. Por i referohet marrëveshjes së heshtur sepse rezultati (në terma të caktimit të çmimit apo të sasisë së prodhuar) mund të ngjasojë me MARRËVESHJE EKSPLICITE apo edhe të një KARTELI ZYRTAR.

Kolizioni apo marrëveshje e heshtur është një sjellje e tregut që u mundëson firmave të realizojnë fitime ekstra-normale, ku fitimet "normale" korrespondojnë me situatën e ekuilibrit. Marrëveshja e heshtur mund të lindë kur firmat bashkëveprojnë në mënyrë të përsëritur.

Atëherë ato mund të jenë në gjendje të ruajnë çmime më të larta duke rënë dakord në heshtje se çdo devijim nga rruga e koluzionit do të shkaktonte një hakmarrje.

Rozeta Hajdari nuk pranon se kanë bërë marrëveshje me naftëtarët, por e pranon se po shqyrtohet

Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për medie ka komentuar marzhën tregtare për çmimet e naftës. Pas pretendimeve të Shoqatës së Naftëtarëve se janë pajtuar që marzha e fitimit për importuesit të ulet nga 4% në 2% dhe të rritet për shitësit me pakicë nga 6% në 8%, ministrja Hajdari vetëm ka konfirmuar se janë takuar me përfaqësuesit e naftëtarëve, por se ende nuk kanë vendosur për ndryshime.

Mirëpo, ministrja Hajdari ka pranuar se janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të marzhës nga 4% në 2% dhe nga 6% në 8%.

“Ne i kemi dëgjuar para disa ditëve se Shoqata e Naftëtarëve dëshiron të ndryshojë marzhën, pasi, sipas tyre, [nga marzha aktuale] më shumë dëmtohet shitësi me pakicë se sa shitësi me shumicë, dhe ne jemi duke analizuar këtë propozim të tyre, duke i analizuar stoqet, duke analizuar mundësitë e e furnizimit që i kanë tani për tani,” tha miniatrja para medieve.

Po ashtu, ministrja Hajdari pranoi se kërkesa e naftëtarëve ka qenë që marzha e fitimit për importuesit e naftës të zbritet nga 4% në 2% ndërsa marzha e fitimit për shitësit me pakicë të rritet nga 6% në 8%.

“Ne kemi diskutuar për marzhën tregtare 2% me 8% dhe kemi diskutuar për rritjen e stoqeve të rezervës shtetërore. Naftëtarët janë më shumë të interesuar që të shkojnë në marzhën 2% me 8%”, - tha ministrja Hajdari para medieve.

Minstrja Hajdari po ashtu shtoi se ministria që ajo udhëheq është e gatshme t’i marrë parasysh kërkesat e naftëtarëve, por se jo të gjitha kërkesat do të pranohen, si dhe së pari të shikohet a është në zbatim vendimi i qeverisë.

“Nëse ne e marrim kërkesën se dëshirojnë të ndryshojnë marzhën, që e kemi caktuar 4% dhe 6%, ne jemi të hapur t’i dëgjojmë kërkesat e Shoqatës së Naftëtarëve por jo të gjitha kërkesat, sepse ne jemi qeveri që kujdeset për qytetarin, për biznesin dhe shtetin. Nuk mund të shkojmë në krejt llogarinë që i përshtatet naftëtarit, por gjithmonë duhet ta kemi në epiqendër qytetarin pasi janë qytetarët që mbushin arkën e shtetit; po ashtu edhe bizneset, mos t’i harrojmë”, - tha ajo.

Në anën tjetër, ministrja Hajdari ka ngritur dyshime se mund të ketë manipulime nga tregtarët e naftës me çmimet.

"Duke e ditur se mund të ketë devijime në caktimin e çmimit në treg, duke e ditur se tregtarët furnizohen dje në Durrës, ndërsa sot cakojnë cmimin sipas Berzh-ës, kjo nuk është një lojë fer në treg. Përmes bashkëpunimit me Autoritetin Kosovar të Konkurencës do t’i identifikojmë të gjitha këto marrëveshje të përbashkëta në mes të tregtarëve të ndryshëm për produkte të ndryeshme në treg", - tha ministrja, pasi sot gjatë ditës janë dërguar në Kuvendin e Kosovës emrat e bordit për Autoritetin Kosovar të Konkunrencës që nuk është funskional që nga qershori i vitit të kaluar.

Shtuar kësaj, Ministrja Hajdari kundërshtoi pretendimet e Shoqatës së Naftëtarëve se ka mungesë të stoqeve të naftës, si dhe ka bllokada për importimin e naftës.

‘‘Nuk kemi asnjë bllokadë sa i përket furnizimit me naftë. Stoqe ka dhe nuk kemi bllokadë’’, - tha ajo.

Lajme të ngjashme