Çka po ndodh me masat? Raportohet se po kërkohet që Kosovës t’i vendoset një klauzolë nga BE-ja
Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës para më shumë se një viti, janë ende në fuqi, pavarësisht se ishte raportuar se të njëjtat do të hiqen gradualisht.
“REL” ndërkaq, shkruan se pas raportit të kryediplomatit evropian, Josep Borrell ku rekomandohet heqja e tyre, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) po konsultohet me shtetet anëtare për një deklaratë të përfaqësuesit të lartë, ku do të njoftohej për heqjen e tyre.
Megjithatë, siç raportohet tutje, disa versione të tekstit të kësaj deklarate nuk janë mbështetur nga të gjitha shtetet anëtare.
Shumica prej tyre janë pajtuar për heqjen e masave, derisa disa kanë dashur të hiqen vetëm një pjesë. Por, tashmë shkruan se disa vende po kërkojnë vendosjen e një klauzole, përmes së cilës, masat kthehen automatikisht, nëse Kosova ndërmerr hapa të njëanshme apo të pakoordinuar në veri, që rrjedhimisht, mund të rrisin tensionet.
Bashkimi Evropian ndërkaq, e ka bërë të qartë që përmbajtja e raportit të kryediplomatit Borrell nu kdo të bëhet publike, megjithatë, aty mes tjerash thuhej:
“Marrë parasysh hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit [Evropian] që të marrë qëndrim për heqjen e masave për Kosovën, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionale”.
Liderët kosovarë thuajse në secilën paraqitje kanë kërkuar heqjen e masave. Por, sipas mediumit, në BE nuk duan të flasin për afate kohore, pasi sipas tyre, “vendimi është bërë më i vështirë pas sjelljes jokonstruktive” në takimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të lartë dhe në nivel të kryenegociatorëve".