Çka po flitet në Kosovë për rikthimin e Grenellit me post të lartë në administratën e Trumpit?
Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mundësia që ish i dërguari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell të marrë post të lartë në administarën e Trumpit, ka shkaktuar komentet të shumta në Kosovë, për shkak të raporteve jo të mira të qeveritarëve kosovarë në raport Trumpin dhe Grenellin. Si po e shohin politikanët opozitarë e analistët rikthimin e Grenellit potencialisht me postë tepër të lartë qeverinë amerikane?
Fitorja e Trumpit në Amerikë, ka rikthyer në vëmendje deklaratat e qeveritarëve të lartë të Kosoëvs kundër ish të dërguarit nga Trump për dialogun, Richard Grenell.
Gjithashtu rikthimi i Grenellit me një postë të lartë në administratën e Trumpit, ka nxitur edhe reagime të shumta se si do të veprojë ai me Kosovën, duke ditur qasjen e Qeverisë Kurti ndaj tij.
Gazetari Berat Buzhala – duke cituar burime të veta – ka thënë se Richard Grenell, ish-zyrtari i lartë amerikan në administratën e kaluar të Donald Trump, i ka kërkuar takim “këto katër vjet” kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por se ky i fundit “e ka injoruar, sharë e ofenduar”.
“Katër vjet – e këto janë burimet e mia – katër vjet e ka injoru në mënyrën më amatoreske të mundshme kryeministri Kurti tentativën e Richard Grenell m’u taku me të. Jo m’e bë marrëveshje; Richard Grenell ka kërku takim me Albin Kurtin gjatë kohës kur ky ishte kryeministër. E ka injoru, e ka sha, e ka ofendu, ky edhe komplet struktura e makineria e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti për katër vjet ka përdorur gjuhë të rëndë ndaj përfaqësueve amerikan. Ai ka përmendur edhe sulmin e kryediplomates Donika Gërvalla kundër Grenellit.
“Për 4 vjet, ka një sulm të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të shtetit, nga kryeministri i vendit ndaj sekretarit të shtetit, nga ministrja e Punëve të Jashtme e cila e godet presidentin aktual, Grenellin e shumë të tjerë me gjuhë e cila nuk do të ishte gjuhë e lejueshme në një odë burrash fshat teme, e lërë më një gjuhë aq ofenduese për një shtet që të ka çliru shkurt e shqip”, ka thënë Tahiri në T7.
Ndërkaq, Gazetari Baton Haxhiu ka thënë Richard Grenell, mund të marrë pozitën e Sekretarit të Shtetit pas rizgjedhjes së Donald Trump-it President i ShBA-së.
“Grenell për faktin se e ka dosjen e hapur të influencës politike në Ballkan për shkak të pozicionit që ka pasur, Kongresi ia kishte hapur çështjen për ta proceduar, meqenëse edhe në kongres demokratët janë shumë poshtë, nuk e di si do të përfundojë dosja e filluar, unë mendoj që procedurat do të respektohen. Një ide që ai të jetë Sekratar i Shtetit bie. Andaj një opsion është që ai të jetë drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, një pozicion që është brenda Shtëpisë të Bardhë”, tha Haxhiu në "Pressing" të T7.
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës Aida Dërguti, ka kritkuar deklaratat e shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla – Schëarz, ndaj ish-emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell.
“Zotëri Grenell do të jetë një person shumë i rëndësishëm dhe si shefe e diplomacisë ajo ka bërë huqe të madhe” – ka thënë Dërguti duke iu referuar Gërvallës në Rubikon të Klan Kosovës.
Ish-diplomati kosovar, Muhamet Hamiti, ka komentuar raportet e Qeverisë Kurti me amerikanët.
“Kemi një qeveri që është tash e katër vjet në pushtet dhe kemi një qeveri me kryeministrin Kurti i cili ka bërë komente të pahijshme para katër viteve për administratën amerikane, Shtëpinë e Bardhë, i jepte ngjyra tjera, dhe në vitin e kaluar ne morëm sanksione edhe nga SHBA’të, u përjashtuam nga Defender23 që e patëm prit me shumë qef. Kemi kryeministër që vitin e kaluar sekretarit Blinken i thoshte naiv” – ka thënë ai të T7.
Ndërkaq sipas raportimeve ndërkombëtare, Grenell mund të emërohet këshilltar potencial për siguri kombëtare.