Çka mendojnë taksi 1-shat për rritjen e çmimit të naftës
Ngritja enorme dhe e përditshme e çmimeve të naftës ka krijuar shumë panik dhe pakënaqësi te qytetarët të cilët kërkojnë reagim të institucioneve. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Bujqësisë, së fundi ka marrë vendim që të krijojë një lehtësim për bujqit, duke ua larguar akcizën e çmimit të naftës në vlerë prej pesë milion euro, e subvencionuar me 36 centë për litër. Mirëpo nuk janë vetëm bujqit kategori e veprimi dhe fitimi i të cilëve varet nga çmimi i derivateve. Në gjendje të rendë po ndihen edhe taksistët.
Më lutej për pak durim, sepse nisjen nga Fushë Kosova deri në Prishtinë nuk mund ta bënte vetëm me mua.
“Mos po bëhemi tre veta të paktën, m’fal allahile, nashta nuk e ke për ngut”, më thoshte Dritoni, i cili nuk dëshironte që t’ia mësoja mbiemrin, pasi veprimtaria e tij konsiderohet ilagale.
Ai është pra, një prej qindra “taksi 1-shave”. Gishtin tregues e drejtonte tek secili qytetar që kalonte pranë veturës së tij më të vjetër se 20 vjet.
“A shkon kha Menza e Studentëve?’’, hapë derën dhe pyet një zonjë.
“S’shkoj anej, po hip”, i përgjigjet Dritoni, në shenjë pohimi se mundet ta dërgonte deri në destinacionin ku i kërkohej.
Në dhjetë minutat e ardhshëm vijnë edhe dy djem, dhe më në fund bëhemi katër pasagjerë në veturën që mezi nisej për shkak të amortizimit e vjetërsisë. Por, taksisti filloi ta ngiste me një farë lumturie që i vërehej në fytyrë, ngase e arriti qëllimin, dhe ne të katërtit së bashku i detyroheshim 2 euro e 80 - do të thotë nga 70 centë secili.
Dhe, siç rëndom ndodh në taksi, biseda bëhej për politikë. Por Dritoni nuk po fliste për konspiracione e politika globale siç paragjykohen se flasin taksistët. Ai po fliste i indinjuar për çmimin e naftës, i cili sot varion nga 1 euro e 65 deri në 1 euro e 74 centë për litër.
“Nuk e di çka është ka bëhet k’shtu, po s’po ki çare pa punu, fitove -s’fitove”, thotë i mllefosur babai i dy fëmijëve, i cili mendon që brenda këtyre rritjeve ka edhe manipulime.
Se mund të ketë manipulime në rritjen e vrullshme të naftës e ka pohuar edhe Ministra e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregëisë Rozeta Hajdari në një konferencë për media dje.
"Duke e ditur se mund të ketë devijime në caktimin e çmimit në treg, duke e ditur se tregtarët furnizohen dje në Durrës, ndërsa sot cakojnë cmimin sipas Berzh-ës, kjo nuk është një lojë fer në treg. Përmes bashkëpunimit me Autoritetin Kosovar të Konkurencës do t’i identifikojmë të gjitha këto marrëveshje të përbashkëta në mes të tregtarëve të ndryshëm për produkte të ndryshme në treg," kishte thënë Hajdari.
Ndërkohë, për manipulim me rritjen e çmimeve kishte raportuar edhe gazeta Nacionale. Në një përgjigje të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhënë dje, Prej 2015-ës janë dënuar 14 kompani të naftës për kurdisje çmimesh në vlerë prej mbi 4 milionësh.
“AKK ka bërë krahasime ndërmjet muajit SHKURT dhe DHJETOR, muaji SHKURT/18, çmimi blerës/l ishte 0.93 cent/l ndërsa fitimi bruto/l ishte 0.09 cent/l dhe çmimi shitës/l ishte 1.02 cent/l gjë që ishte reflektuese me çmimin e berëzës botërore, ndërsa për muajin DHJETOR ku çmimi i berëzës kishte rënie nga muaji paraprak dhe po ashtu çmimi importues/l ishte i njëjte me atë të muajit SHKURT/18, 0.93cent/l, fitimi bruto/l për muajin DHJETOR ishte 0.17 cent/l, dhe Çmimi shitës/l ishte 1.10 cent/l gjë që ndërmarrjet nuk kanë reflektuar me ulje të fitimit bruto/l karshi uljes së çmimit të berëzës dhe çmimit importues”, - thuhej në përgjigjet e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Por këto rritje e manipulime çmimesh bien në barrën e shoferëve e sidomos taksistëve si Dritoni të cilin e luta të më zbres afër Hotel Grand-it, saktësisht te vendparkimi i taksive në atë pjesë të kryeqytetit. Aty i afrohem Sinan Dragushës, një tjetër taksist, i cili për dallim nga Dritoni, operonte legalisht. Nuk ishte fjalëshumë kur kuptoi se nuk iu afrova t’i kërkoja shërbim por mendim.
“Po çka me t’thanë bre, po e sheh edhe vetë. K’ta (naftëtarët) po luajnë me neve e kjo Qeveri nuk po mendon për qytetarët. Çmimet e naftës po rriten përditë, po na çmimet tona nuk po guxojmë me i lëvizë”, thotë Dragusha, i cili sugjeron që Kosova duhet ta përcjellë shembullin e Kroacisë e cila ka vendosur që ta heqë akcizën për naftëtarët e saj.
Ajo çka ka bërë Qeveria e Kosovës deri tash është se janë duke u shqyrtuar ta përcaktojnë marzhën tregtare për çmimet e naftës.
Derisa, pas pretendimeve të Shoqatës së naftëtarëve se janë pajtuar që marzha e fitimit për importuesit të ulet nga 4% në 2% dhe të rritet për shitësit me pakicë nga 6% në 8%, ministrja Hajdari vetëm ka konfirmuar se janë takuar me përfaqësuesit e naftëtarëve, por se ende nuk janë të vendosur për ndryshime.
“Ne i kemi dëgjuar para disa ditëve se Shoqata e Naftëtarëve dëshiron të ndryshojë marzhën, pasi, sipas tyre, [nga marzha aktuale] më shumë dëmtohet shitësi me pakicë sesa shitësi me shumicë, dhe ne jemi duke analizuar këtë propozim të tyre, duke i analizuar stoqet, duke analizuar mundësitë e e furnizimit që i kanë tani për tani,” tha miniatorja para medieve.
E derisa Qeveria vazhdon të vonohet në vendime dhe zgjidhje për këtë situatë, taksistët si Dritoni e Sinani do të vazhdojnë të rënduar, siç ata thonë me “fare pak fitim” nga situata e vështirë me çmimet e derivateve.
*Çmimi për një udhëtim Prishtinë-Fushë Kosovë apo anasjelltas ishte 50 centë deri para pak javësh, tashmë është 70 centë.