Çka ka ndodhur në mes të Albin Kurtit dhe Liburn Aliut? Ky i fundit është lënë jashtë organeve drejtuese - NACIONALE

Çka ka ndodhur në mes të Albin Kurtit dhe Liburn Aliut? Ky i fundit është lënë jashtë organeve drejtuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pak çaste më parë, LVV përmes një komunikate për media, konfirmoi udhëheqësinë e re.

Nga emrat që u panë, spikatën Glauk Konjufca si nënkryetar i parë e Alim Rama, milioneri i VV-së, që tash e tutje do ta ushtrojë pozicionin e sekretarit organizativ.

Në mbledhjen gjegjëse ka folur edhe kryeministri, i cili javë më parë fitoi besimin e partisë për ta drejtuar këtë të fundit edhe një tjetër mandat.

“Kjo është një mbledhje e veçantë dhe shumë e rëndësishme, sepse sot në këtë mbledhje do të zgjidhet kryesia e katërt që do të drejtojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Qysh prej vitit 2011, atëherë kur e patëm mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm, saktësisht me 25 qershor 2011, kanë kaluar mbi 11 vite prej atëherë, dhe çdo katër vite ne kemi zgjedhur organet e reja, sipas ligjit e sipas frymës demokratike.

Në Kosovë qeveritë qendrore janë ndërruar më shpesh, por në kryesitë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne kemi patur stabilitet gjithmonë. Edhe në raste kur kemi patur përndjekje të padrejtë si opozitë që kemi qenë, edhe në rastet kur kemi patur sabotime, kemi arritur gjithmonë të shërojmë problemet, të ndreqim dëmtimet, dhe të ecim përpara sipas mandatit e me përgjegjësi të plotë. Jam i bindur se edhe kryesia e re, që do ta zgjedhim këtu së bashku sot, do të ecë përpara me punë, përgjegjësi e sukses, për një mandat të plotë katër vjeçar”, kishte thënë ndër të tjerash Kurti para të pranishmëve.

S'ka vend

Megjithatë, është vërejtur një detaj interesant. Mungon emri i njërit prej figurave kyçe të partisë që nga themelimi. Bëhet fjalë për Liburn Aliun.

Ministri aktual i Infrastrukturës është kritikuar vazhdimisht për punën e tij, derisa kishte rënë nën "radarin" edhe të Gazetës Nacionale, kur në Ditarin e Buzhalës u publikua skandali me Florent Ramqajn, gjë për të cilën kishte filluar hetimet edhe prokuroria.

Arsyeja vështirë të parashikohet, megjithatë, zërat për mosmarrëveshje mes kreut Kurtit e Aliut kanë ekzistuar edhe në të kaluarën.

Kjo mund të jetë goditja e parë serioze politike ndaj Aliut.

Lënia anash nga organet kryesore në një strukturë të tillë, është largim në parim, ani pse kjo nuk do të thotë se dikur krahu i djathtë i Albin Kurtit nuk mund të marrë pozita të larta udhëheqëse në Qeveri apo Kuvend.

Thuhej që vet Kurti e kishte akuzuar ministrin Aliu për qëndrimin me oligarkë.

S'është i vetmi

Telashet në VV janë më se evidente, tash e një kohë të gjatë.

Kujtojmë, Projekt-Kodi Civil kishte ndarë thuajse në dysh partinë. Kishta dhe ka deputetë që janë të gatshëm të heqin dorë nga karriga e përfaqësuesit të popullit vetëm për të mos e votuar këtë ligj, që parasheh martesën mes personave të seksit të njëjtë.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe vet Kurti. Shefi i ekzekutivit, pikërisht në Këshillin e VV-së kishte hedhur kritika ndaj të besuarve të tij, duke deklaruar se partia nuk ec përpara me një njeri, duke iu referuar vetes.

Në të njëjtën mbledhje, u kishte propozuar aktivistëve që të lexojnë më tepër.

Kurse, në qarqet opionioniste shpeshherë është diskutuar kjo çështje, pra numri i madh i deputetëve dhe pamundësia e Kurtit që të merret me të gjithë deputetët e ministrat.

Madje, në njërën prej deklaratave pat thënë: "Nuk kam pasur shumë kohë të merrem me anëtarët e kabinetit tim qeveritar", duke hapur kështu mundësinë për riformatizim.

Mbetet të shihet nëse Aliu është njëri prej atyre që rrezikon të largohet nga pozita që mban momentalisht, në një riformatizim potencial të ekzekutivit.

Lajme të ngjashme