Civilët ukrainas po lëngojnë e po shuhen në burgjet e rusëve - NACIONALE

Civilët ukrainas po lëngojnë e po shuhen në burgjet e rusëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Alina Kapatsyna shpesh ëndërron sikur po merr një thirrje në telefon nga nëna e vet. Në ato vegime, nëna i thotë se do të kthehet në shtëpi.

Burra në uniforma ushtarake e morën 45-vjeçaren Vita Hannych nga shtëpia e saj në lindje të Ukrainës në prill. Ajo kurrë nuk u kthye.

Familja e saj më vonë mori vesh se Vita, e cila për një kohë të gjatë ka vuajtur nga sulmet për shkak të një ciste në tru, ndodhet në ndalim në pjesën e pushtuar nga rusët në Donetsk.

Kapatsyna i tha agjencisë “Associated Press” se mbetet e paqartë se pse nëna e saj – “person paqësor, civil dhe i sëmurë” që kurrë nuk ka mbajtur armë – është ndaluar.

Vita është njëra nga shumë personat joluftues ukrainas që po mbahen me muaj nga forcat ruse pas fillimit të luftës. Disa vlerësohen si të burgosur lufte, edhe pse kurrë nuk kanë marrë pjesë në luftime. Të tjerët janë në njëfarë ngërçi ligjor – as nuk ballafaqohen me akuza kriminale, as nuk cilësohen të burgosur lufte.

Vita kishte të veshur vetëm një xhemper dhe pantofla, kur u mor nga forcat ruse që po e pushtonin fshatin e saj, Volodymyrivka, disa javë pas fillimit të luftës. Ai vendbanim është ende nën kontrollin e rusëve.

Familja e saj fillimisht kishte menduar se Vita do të kthehej në shtëpi pak më vonë. Forcat ruse njiheshin për ndalimin e njerëzve për dy ose tri ditë për “filtrim” dhe pastaj për lirimin e tyre, tha Kapatsyna, dhe nëna e saj nuk kishte lidhje me ushtrinë ose me forcat për sundimin e ligjit.

Pasi gruaja nuk u lirua, Kapatsyna dhe gjyshja e saj 64-vjeçare filluan një kërkim. Së pari, ato i nisën përpjekjet me letra e vizita te zyrtarë të ndryshëm të emëruar nga rusët dhe në organe qeveriate në rajonin e Donetskut, por këto nuk dhanë rezultate.

“Përgjigjet gjithkund ishin të njëjta: “Ne nuk e kemi marrë atë.” Kush e mori atë, atëherë, nëse askush nuk e ka marrë?”- tha Kapatsyna, e cila u largua nga fshati në mars për në qytetin e kontrolluar nga ukrainasit, Dnipro.

Më pas, ato më në fund siguruan të dhëna më të qarta: Nëna dhe bija e tyre ishte burgosur në Olenivka, qytet i kontrolluar nga rusët, sipas një letre nga zyra e prokurorit të emëruar nga rusët në rajonin e Donetskut.

Stafi i burgut i tha gjyshes së Kapatsyna-s se Vita ishte snajperiste, akuzë që familja e saj e cilëson absurde, duke e marrë parasysh gjendjen e saj. Të dhënat mjekësore që i pa agjencia “Associated Press” vërtetuan se ajo ka cistë në tru si dhe “encefalopati të mbetur” e “sulme të përgjithshme konkluzive”.

Anna Vorosheva, e cila ka kaluar 100 ditë në atë qendër, i sjell ndër mend kushtet çnjerëzore e të tmerrshme: ujë të qelbur për pije, pa ngrohje e pa dush, detyrimi për të fjetur me ndërrime dhe dëgjimi i të burgosurve të rinj duke bërtitur për shkak të rrahjes.

Vorosheva, 46 vjeçe, thotë se nuk i kanë treguar pse e kanë ndaluar “përveç qeshjeve e talljeve për nazistë” – referencë për pretendimet e rreme të Rusisë për atë që thotë se i ashtuquajturi “operacion special ushtarak” është fushatë për ta “denazifikuar” Ukrainën. Ajo thotë se stafi i burgut i ka thënë: “Ji e lumtur që nuk po të rrahim."

Autoritetet në Donetsk e cilësuan zonjën Hannych si të burgosur lufte dhe rishtazi i thanë familjes se ajo është e burgosur në qytetin e pushtuar, Mariupol. Mbetet e paqartë se kur do të lirohet ajo, nëse do të lirohet.

Organizata ukrainase për të drejtat e njeriut, Qendra për Liri Civile, ka kërkesa në lidhje me rreth 900 civilë që janë kapur nga Rusia që nga fillimi i luftës. Më shumë se gjysma e tyre ende janë në ndalim.

Lajme të ngjashme