Cilat komuna u prekën më së shumti nga devijimi i kohës në njehësorët e rrymës? - NACIONALE

Cilat komuna u prekën më së shumti nga devijimi i kohës në njehësorët e rrymës?

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale dje ka publikuar hulumtimin lidhur me devijimin e njehsorëve të energjisë elektrike, me ç’rast shumë qytetarë po dëmtohen duke marrë parasysh se të njëjtit nuk kalojnë në tarifën e ulët në ora 22:00, ashtu siç parashihet me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Oqean Dermaku

Nga 1 mijë e 50 mostra të mbledhura nga qendrat e të gjitha rajoneve të Kosovës, vetëm tri prej tyre kanë rezultuar të sakta dhe të sinkronizuara saktë me orën reale.

Mostrat janë mbledhur duke krahasuar kohën reale në Kosovë sipas kohës universale me kohën që tregon njehsori i energjisë elektrike.

Nga të gjitha shembujt e mbledhur nga Prishtina, Fushë Kosova, Ferizaj, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Podujeva, Mitrovica dhe Peja, rezultatet më negative kanë dalur në Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Prizren, duke vazhduar pastaj me komunat e tjera.

Në Fushë Kosovë, 100% e njehsorëve që ka kontrolluar ekipi i Gazetës Nacionale në teren kanë rezultuar me mbi një minutë devijim, pra diferencë nga koha reale. 98% e mostrave kanë rezultuar me devijim negativ, njehsorë pra që kalojnë në tarifën e lirë më vonë dhe jo fiks në ora 22:00.

Në Prishtinë, mbi 93% e njehsorëve të mbledhur kanë rezultuar me mbi një minutë devijim kohor, ndërkaq mbi 82% ka rezultuar me devijim negativ, ose mbrapa në kohë.

Në Komunën e Prizrenit, mbi 98% e njehsorëve gjithashtu kanë rezultuar me devijim kohor me mbi një minutë diferencë mes kohës në njehsorin e energjisë elektrike dhe kohës reale. Mbi 86% e këtyre njehsorëve kanë pasur devijim kohor negativ.

Përqindja e madhe e devijimit negativ në kohë, tregon njëanshmëri të devijimeve në këto qytete, ku popullsia është mjaft e dendur. Kjo do të thotë, se shumica e qytetarëve të këtyre komunave, nëse bazohemi në përqindjet e hulumtimit dhe gjetjeve tona, i bie që nuk kalojnë në tarifën e lirë në ora 22:00 në mbrëmje, por më vonë.

Kjo për shkak se njehsori i tyre i energjisë elektrike nuk është i sinkronizuar me kohën reale, pra e tregon kohën gabim. Për shëmbull, nëse koha reale shënon 22:00 dhe konsumatori do të duhej të ishte duke shfrytëzuar energjinë elektrike me tarifë të ulët, në fakt ai paguan ende me tarifë të lartë sepse njehsori i tij është ende për shembull në orën 21:30.

Çështja e devijimit të kohës dhe sinkronizimit të pasaktë mes kohës në njehsorët elektrik dhe kohës reale, ka nxitur reagime të shumta pas publikimit të raportimit në Gazetën Nacionale.

Në anën tjetër, KEDS-i përmes një reagimi dje ka pranuar se mund të ketë raste të devijimit në njehsorët e energjisë elektrike, por ka pretenduar se këto raste janë të izoluara.

Në fakt, nga gjetjet në teren, këto devijime po rezultojnë të prekin një masë shumë më të madhe sesa vetëm disa raste të izoluara.

Lidhur me hulumtimin dhe rezultatet e mbledhura në teren, Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në KEDS, KESCO dhe ZRRE, por të njëjtit nuk kanë kthyer ende përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Më poshtë gjeni hulumtimin e plotë, që përfshin statistika të plota nga hulumtimi:

Lajme të ngjashme