Çështja e presidentit: Nis takimi Kurti-Hamza
Ka nisur raundi i dytë i bisedimeve mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
Burime të Nacionales, bëjnë me dije se takimi ka nisur rreth orës 16:00.
Ndërkohë, gazeta ka mësuar se Albin Kurti i ka dërguar ftesë për takim edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Para fillimit të takimit, Partia Demokratike e Kosovës mbajti një mbledhje të kryesisë. Anëtari i kryesisë, Blerand Stavileci, tha se nuk kanë emër konkret për pozitën e presidentit.
“Po, ne mbajtëm një takim të radhës të Kryesisë së Partisë Demokratike në serinë e takimeve dhe mbledhjeve të përjavshme që i mbajmë, pastaj varësisht nga dinamikat institucionale ndonjëherë i mbajmë edhe më shpesh. E ngjashme ishte edhe kjo e sotme, ku ne diskutuam për tema të shumta në kuadër të aktualitetit dhe zhvillimeve politike në vend dhe njëra prej temave po ashtu ishte edhe ajo e procesit të zgjedhjes së presidentit”, ka thënë ai, duke mos përmendur asnjë emër për president që e favorizon PDK-ja.
Në fund të javës se kaluar dhe në fillim të kësaj jave, kryetari i VV-së Albin Kurti ka filluar diskutimet me PDK-në dhe LDK-në rreth zgjedhjes së presidentit.
Raundi i parë i takimeve nuk ka sjell ndonjë rezultat. Hamza, pas të njëjtit, tregoi parimet e PDK-së për këtë çështje.
“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese”, kishte vlerësuar Hamza.
Rreth këtij takimi ishin deklaruar edhe nga zyra e Kryeministrit:
“Kryeministri Kurti falënderoi Kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar. U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”.
Një ditë më pas, Kurti e kishte takuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Ky i fundit, ishte shprehur si vijon:
“Procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor. Na kanë mbetur më pak se 9 ditë për të arritur një zgjidhje. Prandaj, në këtë kohë të shkurtër kërkohet përgjegjësi e lartë politike, e cila nënkupton qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale. Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse”.
“Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare”.