Çerek shekulli nga ndarja e Mitrovicës - NACIONALE

Çerek shekulli nga ndarja e Mitrovicës

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Me një largesë kohore prej njëzet e pesë vjetësh, shndrrimi i urës mbi Ibër në kufi fizik ndryn në vete shumë pikëpyetje, drejtësi të munguar e plagë të hapura. Kur trupat franceze vullnetshëm vendosën të mos bëjnë detyrën e tyre si dorëzanë të sigurisë, serbët e veriut, me përkrahjen e shtetit serb, u organizuan në një formacion paraushtarak si ‘Rojet e Urës’. Njëri prej udhëheqësve kryesorë të tij, Oliver Ivanoviq, edhe pas vdekjes vazhdon të hedhë një hije të dyshimtë si organizator i spastrimit etnik, dhunës dhe terrorit. E habitshme, po njësoj, mbetet edhe deklarimi i kryeministrit Kurti i cili, para dy vitesh, paramilitarin serb e quajti “njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumëetnike”.

Col Mehmeti

Si vegëz për të filluar spastrimin etnik të pjesës veriore të Mitrovicës shërbeu një rrethanë tejet e dyshimtë. Më 2 shkurt 2000, një sulm ndaj një autobusi të UNMIK-ut, i mbushur spic me refugjatë, që shoqërohej nga një eskortë e KFOR-it francez, përfundoi me dy të vrarë e dhjetra të plagosur.

Qysh atë ditë, KFOR-i në saje të inteligjencës së vet në terren e interpretoi sulmin si përpjekje e Beogradit për të krijuar përshtypjen sikur misioni i NATO-s në Kosovë ishte i paaftë për të mbrojtur serbët.

Në sfond të këtij rasti ishin bërë javë e muaj të tërë kur shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e veta kishin bërë përpjekje për t’u rikthyer në lagjet veriore të Mitrovicës.

Pafuqia përballë një ndarje ‘nga lart’

Pamundësia për një gjë të tillë sikur i bënte të vërteta pëshpëritjet e thashethemet se ndarja e qytetit ishte punë e kryer nga lart.

Sado që e kishte kundërshtuar ndarjen e përhershme të Mitrovicës, përfaqësuesi i parë i UNMIK-ut Bernard Kouchner kishte paralajmëruar qysh në vjeshtën e vitit 1999: “Ju duhet të mendoni edhe për reagimin e serbëve. I vetmi vend ku ata ndjehen të sigurt është veriu—ky është thjesht një fakt”.

Viktimat e para shqiptare ishin dëshmia e parë për pafuqinë e njerëzve për t’iu kundërvënë realitetit që çdo ditë e më tepër po bëhej më i dukshëm.

Shkurti tragjik

Sipas raporteve të UNCHR-it dhe OSBE-së, dhuna e kthyer në përditshmëri kishte bërë që 1700 shqiptarë, turq e boshnjakë të braktisnin pjesën veriore të Mitrovicës mes datave 2 dhe 20 shkurt.

Ky eksod ngjau përkundër faktit që në muajin mars, 45 vende të botës kishin kontribuar me gjithsejt 2361 zyrtarë policorë për UNMIK-un.

Historiani dhe profesori ushtarak Sean M. Maloney—i cili asokohe qëlloi mes forcave kanadeze të KFOR-it të vendosura në Kosovë—kujton se mes 3 dhe 7 shkurtit të vitit 2000 ngjan sulme të motivuara etnikisht jo vetëm në Mitrovicë, por gjithandej veriut.

Sipas tij, në zyret e KFOR-it vlerësohej se misioni ishte “në gjendje reaktive dhe po bënte plane për t’i ndarë serbët kosovarë prej shqiptarëve”.

Në librin e tij “Operation Kinetic: Stabilizing Kosovo”, i botuar më 2018, profesori kanadez shkruan se asokohe popullata shqiptare po shpërthente me akuza se forcat franceze të KFOR-it po ua mbanin anën serbëve.

Sipas Maloneyt, “informacionet e mbledhura nga njësitë kanadeze tregonin se popullata në përgjithësi favorizonte masat antifranceze”.

Francezët bënin sehir

Edhe njohës të tjerë të gjendjes në atë periudhë flasin se mosdëshira e francezëve për t’u ballafaquar me elementët radikalë serbë, bashkë me faktin që sektorët britanikë dhe francezë ishin ndërruar në momentin e fundit, ushqenin dyshimet e shqiptarëve se diçka e madhe po zihej.

Shmangia e rrezikut nga francezët përballë dhunës e krimit ishte “përkeqësues jo vetëm ndaj vendosjes së sundimit të ligjit në veri të Kosovës, dhe veçmas në Mitrovicë, por edhe i tendosi marrëdhëniet mes KFOR-it dhe UNMIK-ut”.

Asokohe, siç shkruan studiuesi nga Belgjika Jelle Janssens, edhe trupat daneze ishin ankuar për qëndrimin qyqar francez, teksa patrullat e UNMIK-ut ndiheshin plotësisht të braktisura.

Në Dolce Vita vigjilonin ‘Rojet e Urës’

Kjo iu dha zemër elementëve kriminalë serbë në pjesën veriore të qytetit, ashtu sikundër në gjithë veriun, të krijonin të ashtuquajturën Shoqatë Qytetare e Urës së Shën Dhimitrit.

Ajo përbëhej nga 150 deri në 250 të rinj serbë të pajisur me mjete komunikimi (walkie-talkies), sirena e shkopinj policësh.

Vendgrumbullimi i tyre ishte kafeneja Dolce Vite prej të cilës vigjilonin gjatë gjithë kohës mbi urën, duke penguar jo vetëm shqiptarët të kalonin andejpari, por edhe vetë policinë e UNMIK-ut.

Pengohej kthimi i shqiptarëve

Profili më i hollësishëm për të ashtuquajturit ‘Roja të Urës’ ofrohet nga profesori dhe studiuesi në Universitetin e Ghentit, Jelle Janssens.

Në librin e tij të botuar më 2015 “State-building in Kosovo: A plural policing perspective”, ai shkruan se këto njësi e quanin veten si Lidhja Qytetare e Urës së Shën Dhimitrit, duke mëtuar se gjoja ishin vetëm për vetëmbrojtje dhe organizatë bamirësie.

E vërteta ishte krejt ndryshe, sepse në praktikë “këta rojtarë të Urës dekurajonin dhe e bënin të pamundur për shqiptarët kalimin e urës, dhe madje shpesh nxitën turmat për të frikësuar policinë ndërkombëtare për të liruar të dyshuarit e arrestuar”.

Përveç shqiptarëve të veriut, kjo organizatë kishte përdorur dhunën e sulmet edhe ndaj policisë së UNMIK-ut.

Kështu, në prill të 2002-s, duke marrë si shkas arrestimin e një paramilitari të tyre, 300 serbë të veriut u ballafaquan me policinë e Kombeve të Bashkuara.

Më së keqi pësoi kontigjenti polak me 22 pjesëtarë të lënduar; ndaj tyre ishin përdorur edhe granata dore.

“Larg prej të qenit organizatë ‘filantropike’, këta Rojtarë të Urës flitej se detyronin dyqanet për të paguar tarifa ‘mbrojtje’, jepnin me qira apartamentet e zaptuara dhe frikësonin këdo që do të bashkëpunonte me KFOR-in apo UNMIK-un. Për më tepër, është thënë se ata janë përfshirë në krim të organizuar përfshirë kontrabandë dhe prostitucion”, shkruan Janssens.

Përgatitja e rikthimit të Serbisë

Megjithatë, kjo nuk është e vërteta e plotë e këtij organizimi paramilitar, i cili pas vetes kishte edhe një “strategji politike”.

“Një prej prijësve të parë të Rojave të Urës, Oliver Ivanoviq, shpjegoi synimin kryesor të organizimit të saj: parandalimin e vendosjes së suksesshme të UNMIK-ut - struktura të sponzorizuara administrative në viset me shumicë serbe. Nëse OKB do të dështonte, Serbia do të mund të fuqizonte kauzën e saj për t'u rikthyer në Kosovë dhe për të mbrojtur serbët”.

Sipas studiuesit belg, Rojet e Urës ishin operativë të paguar nga Ministria e Brendshme dhe se kreu i Qendrës Shëntdetësore të Mitrovicës njihej si njëri prej drejtuesve kryesorë.

Funksionimi i saj ishte i tillë që kurdo që ndihej nevoja për marshime, protesta apo kur paralajmërohej se do të ndodhte diçka, e ashtuquajtura ‘Brigadë e Zjarrit’ lëshonte sirenat, perdet lëshoheshin poshtë dhe qindra njerëz mblidheshin pranë urës kryesore.

“Në veri, Rojet e Urës u kthyen plotësisht në një forcë të sigurisë. Ata kryenin legjitimimin, i përgjigjeshin ankesave dhe arrestonin delikuentë. Ata merrnin ndihma nga policia serbe që dikur ishin oficerë policorë në Mitrovicë dhe - deri së fundmi - patrullonin me petka civile në veri të Kosovës”, shkruan mes të tjerash Janssens.

Ivanoviq nga profil krimineli në hero qytetar për Kurtin

I vrarë më 2018, kreu i këtij formacioni paramilitar, Oliver Ivanoviq, është perceptuar herë si kriminel e herë si hero nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një adresim të pazakontë me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së Ivanoviqit, më 16 janar 2023, kryeministri i Kosovës kishte rezervuar vetëm fjalë të zgjedhura e përnaltësuese për të.

Në sytë e kreut të Vetëvendosjes, Ivanoviqi “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

“Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumëetnike”, kishte thënë mes të tjerash Kurti në një adresim në formë videoje.

Lajme të ngjashme