“Çele guri gojën” – Heshtja e çuditshme e të gjitha institucioneve për gjetjen e një pjese të mostrave të Deharit
Kur në dhjetorin e vitit të kaluar ishte evidentuar se mungojnë mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte dalë në një konferencë për media. Aty e kishte quajtur skandaloze këtë fakt, dhe kishte suspenduar katër zyrtarë, të cilët më pas u kthyen në punë.
Megjithatë, kur Nacionale raportoi bazuar në burime të sigurta se një pjesë e mostrave të Astrit Deharit ishin gjetur në një nga laboratorët e IML-së, askush nuk po e thotë asnjë fjalë. As Ministria e drejtuar nga Haxhiu, as Policia, as Prokuroria. Askush.
Çudia doli të jetë se një pjesë e mostrave të Astrit Deharit u gjetën në një nga frigoriferët i cili nuk monitorohet nga kamerat e sigurisë. Kështu kanë bërë të ditura burime të sigurta për gazetën Nacionale.
"Komisioni per invertaizim i kanë gjetë tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Dje i kanë gjetë nga fundi i orarit të punës. Esenca është që frigoriferi nuk mbulohet prej kamerave. Një pjesë e mostrave janë gjetë, por jo të gjitha." - ka thënë burimi për Nacionalen.
Sipas sinjalizuesve të Nacionales brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë vetëm 3 persona të cilët kanë pasur qasje në pjesën ku janë gjetur mostrat e Deharit. Janë pikërisht disa nga zyrtarët të cilët ishin suspenduar me vendim nga ministrja Albulena Haxhiu, pasi ishin zhdukur mostrat.
Heshtja e të gjithëve
Gazeta Nacionale po atë ditë kur raportoi për gjetjen e mostrave, tentoi të kontaktojë me të gjitha institucionet. Megjithatë, as atë ditë, e as një javë pas raportimit, askush nuk ka pranuar ta thotë asnjë fjalë.
Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se ministria e Drejtësisë është ajo që duhet të ofrojë përgjigje për këtë temë. “Më besoni, Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate për këtë”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, as Ministria e Drejtësisë nuk po ofron asnjë informatë. Haxhiu tha se informacionet për këtë rast duhet t’i japë Prokuroria Speciale.
“Ministria e Drejtësisë tashmë është përgjigjur. Ju lutëm të drejtoheni në Prokurorinë Speciale të Kosovës, siç e dini Prokuroria Speciale është duke e hetuar këtë rast. Personi apo autoriteti kompetent është Prokuroria Speciale ne kemi dhënë përgjigje për gjithçka që kanë pyetur mediat, nuk mund të flasim më shumë se sa që kemi thënë, pra është në duar të Prokurorisë Speciale”, kishte thënë Haxhiu.
Detaje nuk dha as vartësi i Haxhiut, zv/ministri Blerim Sallahu. “Ministria e Drejtësisë në momentin që ka marrë vesh më 7 dhjetor të vitit 2022 automatikisht e ka lajmëru rastin në Prokurori. Prokuroria është duke u marrë me rastin. Asnjë informacion tjetër nuk e kemi sepse tashmë është në duar të pushtetit tjetër, pra pushtetit gjyqësor, ku bën pjesë edhe prokuroria. Dhe aty është duke u trajtu rasti në plotësi, besoj që rasti do të zgjidhet shumë shpejt.” – ka deklaruar Sallahu.
Nacionale ka kontaktuar ditë më parë edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka thënë se nuk mund të japë asnjë informacion. Ngjashëm, detaje nuk ka dhënë as Policia e Kosovës.
Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Nacionale nga disa burime ka mësuar se për gjetjen e këtyre mostrave dhe hetimet që po kryhen, janë në dijeni pothuajse i gjithë Instituti. Por, çuditërisht jo edhe Ministria e Drejtësisë.
Lidhur me zhdukjen e mostrave të Deharit ishin suspenduar katër zyrtarë. Në mesin e tyre edhe drejtoresha e Laboratorit, Flutura Goga, për të cilën Nacionale ka raportuar se punon pa licencë. Kjo ishte konfirmuar nga Inspektorati Shëndetësor.
Katër zyrtarët ishin kthyer në punë me një vendim të Komisionit të Ankesave në kuadër të IML-së.
Për detaje lidhur me zhdukjen dhe më pas gjetjen e një pjese të mostrave, Prokurorisë Speciale i është drejtuar me disa letra edhe avokati Tomë Gashi. Megjithatë, deri më tash nuk dihet nëse ka marrë ndonjë përgjigje.


