Gjithologu Kurti, i ligjëron hoxhës për islam, gjeneralit për ushtri dhe doktorit për mjekësi
Prej ardhjes në pushtet, kryeministri Albin Kurti ka bërë përpjekje të mëdha për të folur me një kompetencë të lartë për të gjitha fushat. Për të treguar se është mendjendritur, i lexuar dhe i kultivuar si askush tjetër, në raste të caktuara ai nuk ka ngurruar të flasë edhe për çështje krejt teknike.
Kjo përpjekje ndoshta ka qenë e arsyeshme sa ishte në opozitë, sepse përmes ligjërimeve te tij publike synonte t’i bindte qytetarët e Kosovës për alternativë programin e tij por duket madje edhe qesharake tash, pas ardhjes së tij në pushtet.
Në krizat më të mëdha për vendin, ai gazetarëve u fliste si profesor i elektro-energjetikës, mjekëve si infektolog, deputetëve si inxhinier, ushtarëve si gjeneral, dhe krerëve fetarë si imam.
Në rreshtat në vijim do t’i evidentojmë të gjitha rastet ku kryeministri ka treguar kapacitetet e tij prej një pozicioni që në mediet sociale është mbiquajtur “gjitholog”. “Gjithë” nga shqipja e sotme që nënkupton “gjithçka” dhe “logos” nga greqishtja e lashtë që nënkupton “arsye, shkencë”, etj.
Rasti i parë kur kryeministri filloi të na ligjëronte për njohuritë e tij, ishte vizita në fabrikën e kabllove “Proton Cable”, në maj të vitit 2020.
Gazetarët u befasuan kur panë kryeministrin në detyrë me një tel të hollë në dorë. Nuk vonoi shumë dhe pa e pyetur askush filloi të fliste me pasion për diametrin e telit te bakrit.
“Ky tel që e kam në dorë e ka diametrin çerek milimetri. Prodhohet pra në këtë fabrikë, dhe më pas 45 fije të këtilla përdridhen bëhen bashkë dhe shndërrohen në një tel të bakrit i cili e ka prerjen tërthore me sipërfaqe 2.5 milimetra katrorë. Granulati si lëndë e parë që importohet, përpunohet në këtë fabrikë dhe shndërohet në izolim të telit të bakrit, i cili i prodhuar në maqinat e Siemmensit praktikisht nuk ngec asgjë prodhimeve të njëjta në Bashkimin Evropian”, kishte thënë Kurti.
Kjo më shumë ngjante në një ligjëratë të një mësimdhënësi të elektro-energjetikës, se sa deklaratë e një kryeministri të një vendi demokratik.
Zgjedhjet e 14 shkurtit dhe fitorja me mbi 50 për qind ia fuqizuan edhe më shumë këtë ves. Tashmë, ai e ndjente veten kompetent të fliste edhe për koronavirusin dhe variantet e tij. Ndonëse Delta ishte ndër variantet më misterioze dhe më vrastaret të Covidit, kryeministri nuk e kishte problem të fliste për specifikat dhe aftësinë e madhe shpërndarëse.
Kur vala e Deltës e përfshiu Kosovën, në fund të gushtit të vitit të kaluar, kryeministri vendosi ta thërriste mbledhjen e parë të Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë Covid-19, ku merrnin pjesë ekspertët me eminentë që kishte vendi për pandeminë.
As këtu kryeministri nuk e lëshoi rastin për të treguar se ai tashmë e kishte ‘përvetësuar’ zanatin e infektologut.
"Së pari, varianti Delta karakterizohet nga një numër riprodhues jashtëzakonisht i lartë: Çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë", tha kryeministri.
Nëse mendoni se këtu është ndalur, e keni shumë gabim.
"Së dyti, varianti Delta ka një interval serial jashtëzakonisht të shkurtër: Çdo person i infektuar, personat e tjerë i infekton vetëm 2.5 ditë (mesatarisht) pasi është infektuar vetë. Vetëm 2.5 ditë! Kjo do të thotë se varianti Delta përhapet si zjarr. Çdo 2.5 ditë, shumëfishohet numri i të infektuarve. Për 5 ditë, nga një person mund të infektohen deri në 56 të tjerë", vazhdonte kryeministri.

Besoni ose jo, këtë ligjëratë kryeministri e ka mbajtur para mikrobiologut me renome ndërkombëtare, Lul Rakës; drejtorit të IKShPK-së, Naser Ramadani, drejtorit të QKUK-së, Valbon Krasniqi, dhe shumë mjekëve të tjerë.
Me siguri ky duhet të jetë rasti i vetëm kur një politikan u ligjëron mjekëve për viruset.
Paramendoni presidentin amerikan Joe Biden duke i folur infektologut amerikan Anthony Fauci për Covidin, ose mos e paramendoni hiç sepse kjo s`ka shansa të ndodhë.
Në kohën kur ky e mbante këtë leksion, Delta në Kosovë vriste 30-40 persona në ditë dhe infektonte me mijëra.
Me uljen e rasteve dhe rrezikut nga Covidi, kryeministri ndërronte terren. Çdoherë kërkonte fusha tjera për ta treguar veten.
Kurti, i cili jo rrallë akuzohet për “xhematin” e tij politik, nuk mund të mos u mbante 'ders' edhe klerikëve fetarë.
Në fund të vitit të kaluar, ai e kishte ruajtur 70-vjetorin e themelimit të Medresesë “Alaudin” në Prishtinë për t'i fascinuar besimtarët myslimanë me diturinë e tij në këtë fushë.
Në adresimin e tij para dhjetëra prijësve fetarë, ai citoi ajete kuranore dhe hadithe te profetit.
"Leximi në formë urdhërore si fjala që hap tekstin e Kuranit dhe këshilla e Muhamedit për të kërkuar dijen deri në fund të botës, besoj se janë motiv nismëtar për medresantët e këtu”, tha 'imami' Kurti.
Vitin e filloi si gjeneral me katër yje
Vesin e vjetër nuk e kishte harruar as në vitin e ri. Në pjesën e parë të muajit janar, kryeministri kishte zgjedhur ta vizitonte Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës (KDS) në kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj.
I entuziazmuar prej atmosferës festive të vitit të ri, nuk kishte se si të mos i tregonte aftësitë e tij edhe në këtë fushë.
"Këmbësoria si degë më e vjetër e ushtrisë dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake sado të sofistikuara dhe precize nuk mund të zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e ushtarakut të zot", kishte thënë ai para ushtarëve të FSK-së.
Këtyre te fundit, për një moment, kjo deklaratë mund t'u jetë dukur si frazë e ndonjë gjenerali amerikan me katër yje. Por, kur i kanë hapur sytë, e kanë parë se kjo fjali është e një kryeministri që kurrë armë me dorë nuk ka prekur.
Sqarime të panevojshme teknike ai jepte edhe në Kuvend, kur opozita e kritikonte për krizën energjetike.
Derisa eksperti gjerman i KEK-ut vazhdonte punën në rehabilitimin e bllokut B2, ai tregonte se ku është problemi.
“Lopatat e motorit të gjeneratorit në B2 janë copëtuar për shkak se shtypja e avullit në vend se të jetë 120 bar sipas specifikacionit, ka qenë 90 bar. Edhe avulli ka qenë me lagështi më të madhe dhe i ka copëtuar lopatat e vjetëruara të cilat kanë rënë dhe e kanë dëmtuar kondensatorin”, pati argumentuar ai para deputetëve.
Nga këto shpjegime u fitua përshtypja që Kosovës nuk i duhet më eksperti gjerman, i cili paguhej rreth 12 mijë euro në ditë. Shumë qytetarë shtruan pyetjen, pse vetë kryeministri nuk i përvjel mëngët dhe ta rehabilitojë bllokun e dëmtuar.
Megjithatë, atij nuk i majftoi vetëm audienca vendore për ta treguar kapacitetin e tij.
Së fundi, ai tentoi t'i mësojë botës edhe si ta ndalin presidentin rus Vladimir Putin, i cili me agresionin mbi Ukrainën ka dridhur sistemin ndërkombëtar.
Në forumin e diplomatik të Antalisë, ai i ndriçoi diplomatët perëndimorë, duke ua treguar trikun.
“Ne nuk duhet t’u dorëzohemi autokratëve në asnjë vend dhe asnjëherë. Vetëm një botë që është e bashkuar dhe aktive e demokratike do të ndalojë Putinin dhe do të parandalojë despotë të tjerë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Këtë mendim, ndoshta, mund t'ua thoshte përmes telefonit edhe zyrtarëve amerikanë, por këta të fundit ende nuk kanë gjetur kohë për ta thirrur dhe falënderuar për qëndrimin e fortë ndaj agresionit rus në Ukrainë.
Përgjatë qeverisjes njëvjeçare, përpjekja qesharake e kryeministrit për të na impresionuar me njohuritë në fusha të ndryshme, ngjasonte më shumë në nxënësit që mësojnë përmendesh. Ende nuk dihet se cila do të jetë fusha e radhës ku do të na përndritë kryeministri me mendimet e tij. Shpresojmë se do të jetë diçka në lidhje me zbutjen e ngritjes se çmimeve të konsumit.