'Çarten' zyrtarët e Qeverisë së Serbisë pas aksionit policor në veri të Kosovës
“Terror”; “akt barbar”; “paligjshmëri”... janë disa nga disa nga fjalët e përdorura nga zyrtarët e Qeverisë së Serbisë për të dënuar aksionin e Policisë së Kosovës përmes u mbyllen gjashtë njësi të ashtuquajturës “Banka Postare Kursimore” ilegale në veri të vendit.
Pas aksionit, Policia bëri të ditur përmes një komunikate se në koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, mbylli filialet e e Bankës Postare Kursimore që “kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës.”
Operacioni i Policisë u shoqërua me reagimin e ashpër të disa prej krerëve të ekzekutivit serb. Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka akuzuar kryeministrin Kurti se ka kryer një “akt barbar” që sipas tij “kërcënon drejtpërdrejt mbijetesën e popullatës serbe”.
“Pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që s’mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? A iu lejohet atyre ndonjë gjë”, citohet të ketë deklaruar Vuçeviq sipas një njoftimi të Qeverisë së Serbisë.
Ndërsa zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq tha se Kurti, “po vazhdon të terrorizojë popullin serb në Kosovë”.
“Kurti vazhdon me terrorin ndaj popullit serb në Kosovë, bastisjen e policisë nëpër degët e Kursimeve Postare. Deri kur bashkësia ndërkombëtare do ta tolerojë dhunën ndaj serbëve”, citohet të ketë deklaruar ai ndër të tjera.
Nga ana tjetër, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka thënë se ndërhyrja e të e Policisë së Kosovës në degët e Bankës për Kursime dhe thesarin në veri të Kosovës “është një lëvizje përshkallëzuese e Prishtinës që synon të shkaktojë trazira dhe kaos dhe të shfuqizojë institucionet serbe në Kosovë”.
“Sa më shpejt do të flas me zotin (Miroslav) Lajçak, do të telefonoj edhe përfaqësuesit e Quin-it dhe do t'i informojmë të gjithë në skenën ndërkombëtare se çfarë paligjshmërie dhe terrori me urdhër të kryeministrit të Prishtinës, Aljbin Kurti, është i përfshirë”, ka thënë Petkoviq më tej.
Dialogu pa rezultat
Kujtojmë se ndonëse u mbajtën 7 takime, arritja e një ujdie rreth kompleksiteteve që sjell zbatueshmëria e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës [lexo; Qeverisë së Kosovës] për të ndaluar dinarin në operacionet me para të gatshme nuk dukej gjëkundi në sfond.
Kosova fajësoi Serbinë, Serbia Kosovën, BE-ja që të dyja; teksa njoftoi se takim tjetër për të njëjtën çështje do të ketë atëherë “kur palët të sinjalizojnë gatishmëri” që sot, sipas tyre, nuk kishte.
“Për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi pas mbylljes së takimit në Bruksel.
Bislimi madje shtoi se as ndërmjetësi Lajçak s’do të thërret takime të reja, përveç nëse do të ketë konstruktivitet për zgjidhje.
Homologu i tij Petar Petkovic, tha se shkoi me “gjashtë propozime të reja konstruktive...që Prishtina i refuzoi të gjitha”.
“Takimi i fundit i sotëm dëshmoi se palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi për çështjet e mbetura të hapura. BE shpreh keqardhjen që sot nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje. BE vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur një marrëveshje kompromisi për të ecur para”, thanë në anën tjetër nga BE.