Cameron: Sulmi në Banjskë ishte një provë serioze për stabilitetin në rajon - NACIONALE

Cameron: Sulmi në Banjskë ishte një provë serioze për stabilitetin në rajon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një seancë para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Britanik, David Cameron shprehu shqetësimin e tij për situatën e krijuar pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Cameron theksoi rëndësinë e parandalimit të përkeqësimit të situatës dhe theksoi rolin kyç të Policisë së Kosovës për të parandaluar një sulm që sipas diplomatit britanik “ishte më shumë se një incident lokal”.

Duke e vlerësuar ngjarjen si një sfidë serioze për stabilitetin në rajon, Cameron ka shtuar se sulmi në Banjskë rrezikonte të përshkallëzohej në një konflikt më të madh.

Ai ka lartësuar rolin e Policisë së Kosovës në parandalimin e përkeqësimit të situatës dhe ka theksuar nevojën për ndërhyrje efikase në këto rrethana.

“Kur shohim sasinë e armëve dhe numrin e personave të përfshirë, sulmi në Banjskë kishte potencialin të shndërrohej në një konflikt shumë më të gjerë. Operacioni i Policisë së Kosovës ishte vital për të ndalur një varg sulmesh të mundshme ndaj sigurisë”, deklaroi ai.

Cameron u shpreh se ajo që ndodhi në Banjskë ishte më tepër se sa thjesht një “incident lokal”.

“Ishte më shumë se thjesht një incident lokal, ishte një provë serioze për stabilitetin në rajon. Detyra jonë është të qëndrojmë të angazhuar në mbështetje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.” - pohoi ai më tej.

Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Ai takoi liderët politikë dhe vizitoi trupat britanike.

Gjatë vizitës, Cameron ka theksuar ndër të tjera rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai ka shprehur përkushtimin e Britanisë në mbështetjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Kjo është diçka në të cilën Britania po investon, me 45 milionë funte këtë vit. Është diçka që është shumë e rëndësishme për interesin tonë kombëtar," tha ai në një konferencë për shtyp në Prishtinë.

Më 24 shtator, dhjetëra terroristë serbë të armatosur serbë sulmuan Policinë e Kosovës në veri ku mbetën të vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosen dy policë të tjerë. Nga ana tjetër, gjatë përleshjeve mbetën të vrarë tre sulmues të grupit paramilitar.

Pas sulmit, Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, mori përgjegjësinë e plotë për sulmin e 24 shtatorit.

Lajme të ngjashme