Caktohet seanca për formimin e Qeverisë: VV-ja nuk jep shenja se i ka votat, Kurti sytë nga deputetë individual
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për formimit e Qeverisë së re është caktuar.
Gazeta Nacionale ka siguruar ftesën për këtë seancë, e cila do të mbahet në ora të dielën në ora 10:00.
Në ftesën që kryeparlamenatri Dimal Basha ua ka dërguar deputetëve tregohet se kjo seancë ka vetëm një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.


Ndonëse seanca është ftuar, ende nuk ka ndonjë konfirmim nga Lëvizja Vetëvendosje nëse i ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Në fakt, zyrtarët e lartë të VV-së kanë pranuar se ende nuk i kanë 61 votat e nevojshme për qeverinë Kurti 3.
Megjithatë, ata janë shprehur optimist se kjo shifër mund të arrihet deri te dielën.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Albulena Haxhi, ka thënë se VV-ja po bën përpjekje që votat e nevojshme të sigurohen edhe në bisedimet me deputetët individual.
“Kjo nuk do të thotë se të dielën patjetër do të ftohet(seanca), por po e përmendi si afat të fundit për ta thirru seancën për formimin e qeverisë. Gjatë kësaj kohe ka pasur përpjekje për konsultime, për bisedime, me partitë politike, por edhe me deputetët individualisht për të siguruar numra për qeverinë Kurti 3. Megjithatë me këtë intenzivisht ka qenë duke u marrë kryeministri Kurti. Natyrisht që sapo te kemi informacione në raport me numrat ne do t`i bëjmë të ditura ato për opinionin publik”, ka thënë Haxhiu në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Kryetari i zgjedhur i Podujevës nga LVV-ja, Shpejtim Bulliqi, e ka pranuar se VV-ja tani për tani nuk i ka votat e nevojshme.
“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim për formimin e Qeverisë së re, por ne nuk mund të themi me optomizëm të plotë se diçka e tillë do të ndodh. Ka përpjekje maksimale për me zgjidhë këtë problem, por tash ju e dini se ne nuk i kemi numrat e mjaftushëm, dhe sigurisht se na nevojitët ndihma e subjekteve të tjera politike. Për të qenë një Qeveri stabile dhe për të tejkaluar edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit do të ishte shumë e lëverdisshme të kemi një Qeveri e cila do të ishte e përbërë nga LVV-ja dhe LDK-ja, por tash kjo nuk varët prej neve si subjekt politik, mbetet për tu parë se cilat kanë me qenë veprimet e metejshme në këtë proces”, ka thënë Bulliqi për RTV21.
As deputeti Faton Peci nuk ka dhënë siguri për votat.
I pyetur nëse do të ketë qeveri deri të dielën, Peci nuk dha përgjigje definitive.
“E shohim. Është përcaktim i deputetëve, i atyre që janë të zgjedhurit e popullit”.
Kurse, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, beson se VV-ja i ka varur shpresat te deputët individual.
Sipas tij, ka një tendencë të partisë së Kurtit që t`i` kontaktojë individualisht deputetët e partive tjera për formimin e qeverisë Kurti 3.
Ai ka vlerësuar se kjo po bëhet në mungesë të një marrëveshje politike me ndonjërën nga partitë politike opozitare.
“Po vërehet që ka një tendencë të diskutimit privat me deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës dhe mbase ata janë duke bërë përpjekje që në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të gjejnë ndonjë deputet, i cili jep votën pro formimit të Qeverisë dhe pro kabinetit të Qeverisë Kurti 3”, ka thënë Bugaqku, për portalin “Koha”.