Cakolli: KQZ-ja po cenon fshehtësinë e votës, kabinat e votimit do të vendosen në mënyrë të gabuar; ball për ballë
Eugen Cakolli nga KDI ka ngritur alarmin rreth një vendimi të KQZ-së, të cilin edhe e ka pasqyruar në mënyrë grafike.
Nga ajo që ka shkruar Cakolli dhe që shihet në këto grafika, i bie se votuesi do të jetë i ekspozuar lehtë, dhe lehtësisht mund të dallohet për preferencën e tij politike, të cilën do ta shënjojë me votë.
Sipas tij, deri në vitin 2021 këto gjëra ishin të mirërregulluara, por që tash me vendimet e reja, KQZ-ja po e rrezikon fshehtësinë e votës, si e drejtë elementare në këtë process.
E plotë:
KQZ-ja sërish me vendim që cenon fshehtësinë e votës!
Kjo është mënyra se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që t’i organizojë vendvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit. Siç mund ta shihni, kabinat e votimit do të vendosen ballë për ballë.
Jo vetëm që votuesit mund të jenë të ekspozuar ndaj njëri-tjetrit, por edhe komisionerët dhe vëzhguesit do të kenë pamje të qartë të lëvizjeve të votuesve, në të paktën njërën kabinë.
Po flasim për fletëvotime në formatin A3 (të mëdha), ku lëvizja e dorës në fillim apo në fund të fletëvotimit, mund t’i “ekspozojë” lehtësisht preferencat e votuesve.
Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që fshehtësia e votës rrezikohet nga vendimet e KQZ-së. E njëjta ndodhi edhe me matrikulimin e gishtërinjve të votuesve, një praktikë që u konsiderua si shkelje edhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Pavarësisht paralajmërimeve për sanksione, KQZ-ja i injoroi ato.
Është e çuditshme pse KQZ-ja po krijon kushte ku votuesit ndihen të ekspozuar pa privatësi të plotë gjatë votimit?!
Deri në zgjedhjet e vitit 2021, kjo çështje ka qenë e rregulluar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Prandaj, KQZ-ja duhet urgjentisht t’i rikthehet garantimit të fshehtësisë së votës, si obligim i saj ligjor.
Asnjë votues nuk duhet të ndiejë presion apo pasiguri për privatësinë e votimit. Fshehtësia e votës është e drejtë fundamentale – jo luks!