Bytyqi u dhuron shamia ngjyrë rozë deputeteve në muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka inkurajuar të gjitha gratë të bëjnë ekzaminim klinik të gjirit (mamografinë).
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit mund të shpëtojë jetë.
“Kjo shami që po mbaj me vete dhe që të njëjtën ia dhashë secilës grua deputete këtu në sallë, shënon një simbolikë të muajit ku thirrjet më të mëdha u bëhen po grave, por jo vetëm, për të bërë ekzaminim klinik të gjirit/mamografinë. Ky muaj, nga fillimi e deri në fund, është inkurajim për të gjithë qytetarët, organizatat, bizneset e grupet tjera që të bashkohen në aktivitete për ta rritur ndërgjegjësimin për të kontrolluar dhe parandaluar kancerin e gjirit. Siç e dimë dhe shumë familje e kanë përjetuar, kanceri i gjirit mund të shkatërrojë jetë përgjithmonë, megjithëse në Klinikën e Onkologjisë në QKUK nuk kam parë ende statistika se sa pacientë humbin betejën me kancer brenda vitit, një nga rastet më të shpeshta të vdekjeve, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është pikërisht kanceri i gjirit”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se, falë trajtimit klinik dhe zbulimit të terapive të reja, numri i të mbijetuarave nga kanceri i gjirit është trefishuar në 60 vitet e fundit.
“Kjo çështje kapërcen parti e politikë, për qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të të mbijetuarave të kancerit të gjirit, duke kujtuar ato që humbën jetën nga kjo sëmundje, si dhe duke ngushëlluar e dhënë forcë atyre grave që aktualisht po e luftojnë kancerin e gjirit. Pranë jush, duke ju mbështetur dhe duke kërkuar vendosmërinë tuaj, inkurajoj të gjitha gratë të bëjnë kontroll, sepse çdo zbulim i hershëm mund të shpëtojë jetë!”, ka deklaruar ajo.