Byroja për Konfiskimin e Pasurisë shkon në Komision për Legjislacion, pushteti pretendon se është "instrument kryesor"
Komisioni për Legjislacion shqyrtoi Projektligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, gjë që prodhoi debat mes pushtetit dhe opozitës.
Ministrja Donika Gërvalla tha se ligji synon “rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi” dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit.
Ajo theksoi se Byroja është “instrumenti kryesor” për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve dhe përputhjen e saj me të ardhurat e ligjshme.
Sipas saj, konfiskimi civil është “instrument i ligjshëm”, i konfirmuar nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese.
Gërvalla shtoi se “të gjitha rekomandimet janë reflektuar” dhe se projektligji nuk ka ndryshuar nga versioni i vitit 2024.
Kryetari i Komisionit, Përparim Gruda, ngriti shqetësime për mungesën e konsultimit publik dhe shtrirjen kohore të ligjit.
Ai tha se “ligji nis nga zero” dhe kërkon konsultim publik, duke paralajmëruar probleme me ruajtjen e dokumentacionit.
Deputeti Besnik Tahiri theksoi se konsultimi publik është “jetik dhe ligjor” dhe paralajmëroi rrezik për rrëzim në Kushtetuese.
Deputetja Blerta Deliu kritikoi procedurën e përshpejtuar, duke thënë se ligji ka “ndryshime kozmetike” dhe nuk adreson plotësisht gjetjet.
Në anën tjetër, Vigan Qorrolli tha se ligji “plotëson standardet kushtetuese” dhe është i domosdoshëm për sistemin institucional.