Buzhala për Kongresin e VV-së: Edhe Zelensky reflekton më shumë pozitivitet
Dje u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Temë parësore ishte Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit numër 48.
Ndërkaq, në fraksionin që kemi zgjedhur, bëhet fjalë për krahasimin e këtij kuvendi me një tjetër kuvend, gjegjësisht atë të 2 korrikut 1990.
Autori kritikoi frymën tejet negative të bashkëpartiakëve të Kurtit dhe të atij personalisht.
"Kurrë kësi mbledhje s’kam pa unë. Edhe ajo mbledhja e 2 Korrikut 1990-ës kur u shpall Republika para dyerve të Kuvendit të Kosovës, ka qenë me pak më tepër energji pozitive si kjo. Pse more vëlla duheni me bë kështu? Ani ku e kanë gjetë Hydajet Hysenin! Sa për info, kam qenë koleg me të në PDK si deputet. Një lloj ngërrçi, një lloj frike. Një situatë e sikletshme.
Njerëz jemi në vitin 2022. Në këtë kuvend, përveç tjerash, pikë e rendit ka qenë me e pytë Këshillin e Përgjithshëm për emrat e procesmbajtësve. Këto kanë qenë reminishenca të së kaluarës. Pra, kur s’ka pasë televizora, internet, plus shto këtu transmetimi ka qenë “live” (qesh autori). Leje procesverbalin, me një moment Hyda tha që a do ta votojmë procesverbalin e mbledhjes së 47, pra atë të vitit të kaluar", tha fillimisht Buzhala.
Tutje ai kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të lirohet pak nga kjo situatë e çuditshme, pasi sipas tij ata po mendojnë që e kanë krejt Kosovën kundër, a në realitet i kanë fituar 51% të votave.
Madje, bëri një krahasim interesant me presidentin ukrainas, Zelenskyy, duke thënë se edhe ai përfaqëson një atmosferë më pozitive, ani pse shumica e qyteteve ukrainase bombardohen nga rusët.
"Dilni more njerëz prej kësaj situate se ju kanë kurthu keq. Keni mbetë në një gjendje të luftës së ftohtë. Ju po mendoni që krejt Kosova është kundër juve, a ju i keni fitu 51%. Krejt partitë mendoni që i keni kundër, krejt mediat mendoni që i keni kundër, a në anën tjetër flisni për shumicën dërrmuese të popullatës.
Pra, zymtësi, pa ngjyra, përveç himnit kombëtar, dramatike, të mbushet mendja që edhe në Ukrainë ai Zielinsky po i bën pak më të buzëqeshura, me njëfarë energjie pozitive, po i jep shpresë popullit, po iu thotë që gjendja nuk është aq e keqe sa po duket, ani pse po bombardohen shumica e qyteteve", shtoi mes tjerash.
Siç edhe keni mundur ta shihni, në pjesën e epërme është episodi i plotë, teksa më poshtë pjesa e zgjedhur. Shikim të këndshëm.

